Mesazh nga znj. Odre Azule, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s, me rastin e Ditës botërore të librit dhe të drejtës së autorit – 23 Prill 2024

од admin_kult

Librat janë ftesë për të udhëtuar dhe për të takuar “tjetrin”: me çdo faqe të re të kthyer, një botë tjetër shfaqet para syve tanë. Në Ditën botërore të librit dhe të drejtës së autorit 2024, dëshirojmë të theksojmë se sa e rëndësishme është të festojmë fuqinë dhe bukurinë e librave.

Librat, në të gjitha format e tyre, na mundësojnë të mësojmë dhe të informojmë veten. Ata gjithashtu na argëtojnë dhe na ndihmojnë të kuptojmë botën, ndërsa ofrojnë një dritare drejt tjetërsisë.

Që librat të shpalosin potencialin e tyre të plotë, është thelbësore që ata të pasqyrojnë diversitetin gjuhësor të botës sonë. Megjithatë, kjo nuk po ndodh sot, shumica e veprave botohen vetëm në disa gjuhë dhe teknologjia digjitale ngre çështjen e homogjenizimit gjuhësor.

Megjithatë, çdo gjuhë e shkruar mbart me vete botëkuptim të caktuar, me simbolet dhe vlerat e saj.

Prandaj, si pjesë e Dekadës ndërkombëtare të gjuhëve indigjene (IDIL), duke filluar që nga viti 2022, UNESCO mbështet botimin e librave në gjuhët indigjene dhe rajonale. Që nga viti 2023, kemi punuar me shtëpi botuese në mbarë botën për të botuar titullin “Ajo që na bën njerëz” nga Viktor D.O. Santos dhe Ana Forlati, libër i ilustruar për fëmijë që feston pasurinë gjuhësore dhe kulturore – në madje 14 gjuhë, duke përfshirë mapuçe, galike dhe marati.

UNESCO gjithashtu mbështet industrinë letrare në Afrikë, veçanërisht sektorin e dedikuar për botimin e librave për të rinjtë. Për të ndihmuar në rrëfimin e historisë së skllavërisë dhe për të diskutuar jehonat e saj në botën e sotme, në vitin 2022 ne lansuam serinë Bintau & Isa në partneritet me shtëpinë botuese “Langages du Sud”. Qëllimi i serialit është t’i prezantojë fëmijët me këtë temë që në moshë të vogël. Gjithashtu, në bashkëpunim me “Langages du Sud” dhe me rastin e Panairit ndërkombëtar të botimeve dhe librit në Rabat në maj 2024, do të lansojmë vëllimin e parë të serisë “Les Balades de Nour”. Libri fton të rinjtë marokenë të mësojnë për trashëgiminë e tyre kulturore të listuar në UNESCO nga një këndvështrim tjetër.

Së fundi, UNESCO mbështet sektorin e botimeve dhe fuqinë e leximit përmes rrjetit të saj të Kryeqyteteve botërore të librit, i krijuar për të forcuar edukimin e shkrim-leximit dhe për të promovuar mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe lirinë e shprehjes. Strasburgu i Francës është shpallur Kryeqyteti Botëror i Librit për vitin 2024. Qëllimi është që librat të bëhen mediumi i preferuar si për shqetësimet mjedisore të kohës sonë ashtu edhe për ndarjen e njohurive shkencore të lidhura me to.

Së fundi, ne jemi të përkushtuar të mbështesim shpërblimin e drejtë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në industrinë e librit, duke filluar nga autorët. Në fund të fundit, pas çdo libri qëndron një zinxhir i tërë njohurish dhe aftësish që çuan në krijimin e tij.

Në këtë ditë, UNESCO ju fton jo vetëm të festoni leximin dhe kulturën, por edhe të premtoni personalisht mbështetjen tuaj.

Можеби ве интересира:

Страницата на Министерството за култура на РС Македонија користи т.н. „колачиња“ со цел да обезбеди подобро корисничко искуство. Прифати Повеќе