“Studio e Hapur” titullohet projekti në të cilin tandemi artistik evropian Artur Zmijevski dhe Pavel Althamer krijojnë vepra të reja në hapësirën e Muzeut të Artit Bashkëkohor – Shkup. Menazheri i projektit është Vladimir Jançevski.
Siç informojnë nga Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup, artistët polakë gjatë këtyre dy javëve do të krijojnë rreth 30 piktura artistike në karton me bojë akrilike dhe kolazhe nga libra të vjetër historikë, harta, tabela, atlase, postera, tabela edukative.
Më 8 dhe 12 korrik në ora 20:00, menaxherja Bojana Janeva do të organizojë turne nate nëpër muze, ku vizitorët jo vetëm që do të mund të shohin ekspozitat aktuale, por do të kenë edhe një mundësi të rrallë për të parë punën krijuese të Zhmijevskit dhe Althamerit me një udhëzues personal.
Më 14 korrik, në MSU do të hapet ekspozita me këto vepra të krijuara, e titulluar “Shkolla Polake e Kolazhit”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 25 gusht 2022.
Punimet e krijuara do t’i dhurohen Muzeut dhe do të pasurojnë koleksionin me vlerë. Me këtë gjest riaktualizohet dhurimi i veprave të autorëve me famë botërore.
– Roli i Polonisë në krijimin e objektit të MSU-së është i një rëndësie të paçmueshme. MSU është simbol i solidaritetit të Shkupit, kur pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë ku thuhet se nuk është e rëndësishme vetëm ndihma materiale, por edhe kultura për të ngritur shpirtin e viktimave. Pikërisht kjo rezolutë dhe vendimi i kongresit botëror të artistëve në Nju Jork u bëri thirrje të gjithë artistëve të botës që t’i dhurojnë veprat e tyre Shkupit të shkatërruar dhe të vendosin themelet e ndërtesës së re. Në konkursin e shpallur, çmimi i parë shkon për studion e njohur arkitekturore “Tigri” nga Polonia.
Qeveria e Polonisë ia dhuroi Shkupit këtë projekt në shenjë solidariteti dhe sot MSU ka në koleksionin e saj, përveç veprave të tjera të rëndësishme, mbi 200 donacione arti nga artistë polakë (212 vepra nga 135 artistë). Duke qenë se donacionet e mëparshme janë të periudhës 1964-1990, Zhmijevski dhe Althamer vazhdojnë serinë e donacioneve me vepra bashkëkohore, informojnë nga MSU.