Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot në Çuçer-Sandevë, duke promovuar projektin e mbështetur nga Programi i dotacioneve kapitale për këtë komunë, tha se Çuçer-Sandeva po bëhet me Shtëpinë e re të Kulturës “Sandeva”, e cila vazhdon traditën e Shtëpisë së Partizanit “Sandeva”.
Kostadinovska-Stojçevska, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Ljupço Nikollovski dhe kryetari i Komunës, Sashko Komnenoviq, inspektuan projektin dhe lokacionin për ndërtimin e sallës multifunksionale të Shtëpisë së Kulturës “Sandeva”.
– Kryetari i komunës tregoi iniciativë për këtë projekt në fushën e kulturës, i cili u njoh nga Ministria e Kulturës dhe u mbështet me 11,3 milionë denarë përmes Programit për dotacione kapitale në kulturë – tha ministrja e Kulturës, e cila theksoi se kjo është mbështetja më e lartë nga ky program për këtë vit.
Ajo shtoi se këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, Ministria e Kulturës e ka rritur buxhetin për këtë program për 10 milionë denarë shtesë, i cili promovon zhvillimin lokal.
Në një deklaratë për media, Kostadinovska-Stojçevska informoi se pas 15 vitesh mungesë të sallës, fillon ndërtimi i Shtëpisë së re të Kulturës shumë të nevojshme për këtë rajon, e cila vazhdon traditën e Shtëpisë së Partizanit “Sandeva”.
-Në një sipërfaqe prej mbi gjashtëqind metrash katrorë po ndërtojmë një sallë shumëfunksionale me ambient të brendshëm skenik, amfiteatër, biletari, garderober dhe dhoma të tjera ndihmëse të nevojshme për funksionimin në mënyrë të përsosur të këtij lloj institucioni. – informoi Kostadinovska-Stojçevska.
– Me ndërtimin e kësaj salle – tha ministrja e Kulturës – ne përmbushim detyrën tonë për të krijuar një infrastrukturë që ka një rol kyç në pasurimin e jetës së çdo individi, në zhvillimin e talenteve artistike dhe në nxitjen e energjisë krijuese të të rinjve tanë.
Kostadinovska-Stojçevska pret që faza e parë të realizohet me sukses deri në fund të vitit dhe shprehu besimin se shumëllojshmëria e përmbajtjeve kulturore në sallë dhe në skenën verore do ta bëjë Komunën e Çuçer-Sandevës një vend tërheqës jo vetëm për banorët e saj por edhe për qytetarët nga rajoni.
Kryetari Komnenoviq shprehu mirënjohje të madhe për ministren Kostadinovska-Stojçevska dhe Ministrinë e Kulturës sepse, siç tha, e kanë njohur nevojën e qytetarëve të Komunës së Çuçer-Sandevës dhe kanë mundësuar mbështetjen e këtij investimi me mjete të konsiderueshme.
– Për Çuçer-Sandevën, realizimi i projektit të mbështetur nga Ministria e Kulturës përmes dotacioneve kapitale është i rëndësishëm në shumë aspekte, sepse banorët e dinë se si dukej e gjithë kjo deri para disa vitesh. I kemi marrë objektet e rrënuara dhe me ndërtimin e sallës së re banorëve të këtij rajoni të Malit të Zi të Shkupit do t’u ofrojmë kushte moderne për kryerjen e aktiviteteve kulturore të të gjitha llojeve – tha kryetari Komnenoviq.