Në prani të dhjetëra artistëve të rinj dhe organizatorëve nga Shoqata e Artistëve të artit figurativ “Draudakum” mbrëmë u shënua fillimi i edicionit të këtij viti të Kolonisë ndërkombëtare të artit figurativ Gostivari 2020.
Edicioni i pesëmbëdhjetë i sivjetshëm ka më shumë pjesëmarrës, por për shkak të pandemisë, shumica e veprave të tyre do të krijohen në kushte shtëpie. Artistë më të rinj, nga dje dhe tre ditët e ardhshme do të krijojnë në hotelin “Panorama” afër Gostivarit.
Kryetari i Shoqatës “Draudakum” Reshat Ameti, tha se kolonia artistike është një vlerë e madhe për qytetin e Gostivarit, kështu që ata vendosën ta mbajnë këtë vit, pavarësisht kushteve të vendosura nga pandemia.
Përfaqësuesja e vetëqeverisjes lokale, Imërlie Saliu dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Afan Elezi përshëndetën iniciativën dhe njoftuan se do të vazhdojnë ta mbështesin manifestimin. Këtë vit, në koloni marrin pjesë 70 artistë nga e gjithë bota, të cilët do të krijojnë veprat në ateliet e tyre dhe në shtëpi. Pas përfundimit, do të organizohet një ekspozitë në grup. Kolonia ndërkombëtare e artit figurativ “Gostivari 2020” mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe nga Komuna e Gostivarit.