Komisionet Nacionale për UNESCO,të R. së Maqedonisë së Veriut dhe R. së Shqipërisë,nesër më 12 korrik në Ohër,do të zhvillojnë seancën e parë të përbashkët.Takimi i punës do të koordinohet nga dy ministret e kulturës të të dy vendeve,Irena Stefoska dhe Elva Margariti,të cilat janë gjithashtu kryetare të Komisioneve Nacionale për UNESCO.
Në seancën kushtuar koordinimit të ardhshëm në kontekstin e menaxhimit të përbashkët me Rajonin e Ohrit,në përputhje me udhëzimet e fundit të raportit të Misionit reaktiv të UNESCO-s,do të marrin pjesë edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të R. së Maqedonisë së Veriut,Naser Nuredini dhe homologu i tij shqiptar,Ministri i Turizmit dhe Mjedisit,Blendi Klosi.
Në seancë do të diskutohet për Projekt-Vendimin e Komitetit për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s,për “Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore të Rajonit të Ohrit” dhe do të përcaktohen përparësitë dhe hapat e ardhshëm për veprim të përbashkët.Është paraparë edhe të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët që synon ruajtjen e statusit të Trashëgimisë Botërore të Rajonit të Ohrit.
Në takim,ministret e kulturës,Stefoska dhe Margariti,do të nënshkruajnë një Program për bashkëpunim në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës të R. së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Kulturës të R. së Shqipërisë,për periudhën nga viti 2021 deri më vitin 2026.
Njoftimet për media janë paraparë më 12 korrik në ora 12:15 në Komunën e Ohrit.