Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Llutkov, i ka dërguar ngushëllime ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
“Në emër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe në emrin tim, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për humbjen e madhe të njërit prej shkrimtarëve më të shkëlqyer bashkëkohorë. Vepra e tregimtarit të madh Ismail Kadare ndriçon historinë dhe kulturën komplekse të atdheut të tij, duke rrëmbyer histori universale”, shkruan ministri Llutkov në telegramin me ngushëllime. Ai thekson se vepra e thellë letrare e Kadaresë mori njohje ndërkombëtare dhe çmime të shumta, duke e pozicionuar kështu letërsinë shqipe në majat e letërsisë botërore.
“Në të njëjtën kohë, ai krijoi vepra që na kujtojnë se autorë të mëdhenj mund të lindin dhe të krijojnë në çdo pikë të planetit”. Trashëgimia e gjallë e Kadaresë do të vazhdojë të ndriçojë dhe të frymëzojë lexuesit dhe shkrimtarët kudo në botë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Qeveria shqiptare ka shpallur dy ditë zie në shenjë respekti për shkrimtarin më të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare në Tiranë.
Kadare është një nga shkrimtarët më të shkëlqyer bashkëkohorë, është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe është nominuar disa herë për Çmimin Nobel për Letërsi. Vepra e tij më e famshme është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke e bërë atë përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe në mbarë botën.