Ministrja e Kulturës dhe kryetarja e Komisionit Kombëtar për UNESCO-n, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në lidhje me aktivitetet e deritanishme lidhur me zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s, thotë se aktualisht grupi punues është në përgatitje të draft-versionit të ri të Ligjit për Menaxhimin e Rajonit të Ohrit, në të cilin ka propozim për fshirjen e disa dispozitave për të shmangur kërcënim potencial për trashëgiminë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit.
– Propozohet të fshihet neni kontestues i theksuar nga organizatat joqeveritare, i cili i referohet përkufizimit të termit “transformim urban”, në variantin e Ligjit të ri të menaxhimit. Është term të cilit misionet reaktive i referohen prej kohësh në raportet e tyre. Prandaj vendosëm ta heqim atë nen gjegjësisht ta modifikojmë që të mos vijë deri te mendimi se me atë nen duam të kontribuojmë në legalizimin më të madh të ndërtimeve pa leje. Përkundrazi, bëhet përzgjedhje shumë rigoroze, gjegjësisht skanimi i gjithë terrenit me ndihmën e të gjitha institucioneve që kanë mundësi ta bëjnë këtë, në mënyrë që të mos legalizohet asnjë ndërtim pa leje”, tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska për Radio televizionin maqedonas.
E pyetur për raportin e fundit të UNESCO-s, ndikimin e sektorit joqeveritar dhe ndërtimet pa leje, si dhe për mbajtjen e statusit të Rajonit të Ohrit, ministrja shtoi se institucionet gjithmonë apelojnë që komunat të japin informacione më të gjera në lidhje me ndërtimet pa leje. Kostadinovska-Stojçevska sqaroi se në propozimin e ligjit të ri do të rregullohet dhe sqarohet saktësisht lënda e ndërtimeve pa leje, që të mos krijohet përshtypja se do t’u qaset për legalizimin e tyre.
Në lidhje me aktet tjera ligjore që janë miratuar dhe po punohet për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, Kostadinovska-Stojçevska shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen aktive të sektorit joqeveritar dhe praninë e tyre në terren, në Strugë dhe Ohër. Lidhur me raportin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe mbajtjen e Ohrit në listën e UNESCO-s, ministrja e Kulturës u shpreh e kënaqur me raportin pozitiv, për të cilin, siç tha ajo, fakti që vendi ynë ishte ndër të parët që përktheu Udhëzuesin për poseduesit e të mirave të patundshme kulturore në rajonin e Ohrit- trashëgimia botërore e UNESCO-s.
–Ky Udhëzues, i cili ndihmon në përgatitjen e të gjitha llojeve të opinioneve, te komunat që janë të përfshira dhe jemi vlerësuar vërtet për progresin që kemi bërë. Pjesën më të madhe në atë raport pozitiv e ka Komisioni, i cili deri më tani ka funksionuar në kuadër të Ministrisë së Kulturës, ndërsa tani sipas marrëveshjes dhe sipas ligjit i kalon Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – sqaroi ministrja e Kultura. Ajo shtoi se është ky komision që merret me të gjitha mendimet nga komunat, investitorët, shoqëritë arkitekturore dhe planifikuesit urbanistik.
Kostadinovska-Stojçevska tha për RTM se në raportin pozitiv të UNESCO-s ka luajtur rol edhe bashkëpunimi me Shqipërinë, sepse për herë të parë këtë vit është përpiluar raport historik nga të dyja vendet për UNESCO-n.