Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, sot realizoi vizitë pune në disa nga institucionet kulturore në Manastir. Në takimet me drejtorët e Qendrës për Kulturë, Teatrit Kombëtar dhe Institutit dhe Muzeut – Manastir, u diskutua progresi i zbatimit të projektit dhe sfidat aktuale me të cilat përballen këto institucione.
Llutkov informoi se Instituti dhe Muzeu – Manastir ka realizuar projekt për restaurimin e fasadës ballore me vlerë 1.2 milion denarë, ndërsa gjatë vitit do të rinovohet kati përdhes i lapidariumit me 1.4 milion denarë shtesë. Dyqani i suvenireve u rinovua gjithashtu me fondet e vetë institucionit, gjë që kontribuon në ofertën turistike të qytetit.
Theks i veçantë i vihet projektit kapital për rinovimin e ekspozitës së përhershme muzeore, për të cilin janë ndarë 2 milionë denarë. Koncepti i ri do të përfshijë edhe një dhomë përkujtimore për muzikantin e famshëm të Manastirit, Kiril Makedonski, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij.
Ministri vuri në dukje se kërkimet arkeologjike, të cilat vitet e fundit ishin reduktuar në minimum, tani po marrin mbështetje dhe dinamika të reja, duke përjetuar kështu një rilindje të vërtetë.
“Ndamë 1 milion denarë për kërkime arkeologjike në lokalitetin Gradisht në fshatin Crnobuki, siguruam 12 milionë denarë për projektin trevjeçar për punime konservimi dhe restaurimi në brendësi të Xhamisë Jeni, i cili përfshin piktura murale, elemente dekorative prej druri, metali, mermeri, gipsi dhe fajansi, si dhe mobile. Më parë, me 2 milionë dhe 2.5 milionë denarë, u zbatuan edhe projektet për konservimin dhe restaurimin e fasadave të Shtëpive Përkujtimore të revolucionarit maqedonas Goce Delçev dhe Stiv Naumov”, informoi Llutkov.
Ministri njoftoi edhe projektin kapital për rindërtimin, rinovimin dhe adaptimin e ish-ndërtesës së kinemasë Partizan, me vlerë 94 milionë denarë. Kontrata është nënshkruar tashmë dhe zbatimi i saj duhet të fillojë deri në fund të këtij muaji.