Me ekspozitën e tre fituesve të sivjetshëm të çmimit “Sot” Gjorgji Despodov, Klelija Zhivkoviq dhe Burxhu Musli- më 14 shtator, në Galerinë Nacionale– Çifte Amam, përfundon kremtimi i 20-vjetorit të dhënies së parë të këtij çmimi për artist/e të ri/e vizuel/e nën moshën 35 vjeç.
Çmimi “Sot” është platformë unike në vend, e cila prej dy dekadash u ofron vazhdimisht artistëve të rinj program qëndrimi në Nju Jork, përvojë unike në proces edukativ të projektuar posaçërisht në artin vizual, takime dhe prezantime me juri ndërkombëtare dhe prodhimi i veprave të reja në kuadër të ekspozitës për çmimin.
Është themeluar në vitin 2002, si çmim vjetor për artistin e ri vizual më të mirë nën moshën 35 vjeçare në vend, nga Qendra e Arteve Bashkëkohore- Shkup në bashkëpunim me Fondacionin për shoqëri civile nga Nju Jork- SHBA, por ishte i dhënë zyrtarisht për herë të parë në vitin 2003. Qëllimi i çmimit është t’u ofrojë më shumë mundësi artistëve të rinj për të zotëruar interesat e tyre artistike dhe për t’i prezantuar ato para një publiku më të gjerë, si dhe për të thelluar diskutimet ndërmjet institucioneve dhe artistëve të rinj. Nga viti 2015, çmimi organizohet në nivel lokal nga shoqata Fakulteti i çështjeve që nuk mësohen – FÇM, në kuadër të festivalit “AKTO”.
Kremtimi i 20-vjetorit të çmimit “Sot” nisi në prill të këtij viti me program edukativo-diskursiv pesëditor për artistët e rinj “Artisti perfekt” në “Stacioni i vogël”, ku artistët e rinj fituan aftësi praktiko-teorike mbi artin bashkëkohor dhe depërtimi kritik në praktikën e tij, por edhe në kontekstin lokal parë nga këndvështrim ndërkombëtar. Më pas vazhdoi me ekspozitën “Prekariati ka shans: hapësirat publike në lëvizje (drejt)” në galerinë “Struktura” në Sofje, ku morën pjesë 20 artistë nga vendi, disa prej tyre fitues, pjesëmarrës apo finalistë të çmimit “Sot”, prezantuan praktikën e tyre të fundit para publikut të Sofjes.