Institucioni nacional i sapokrijuar Orkestra e muzikës xhaz, e cila përveç se mori adresë të përhershme nga Qeveria në Operën dhe Baletin Nacional, do të marrë edhe burime financiare nëpërmjet programit TAV, me të cilin objekti i ndarë do të rinovohet siç duhet. Vlera e parashikuar e projektimit të renovimit është rreth 200 mijë euro (11.714.709,00 denarë), prej të cilave 10 milionë denarë janë siguruar përmes programit TAV, ndërsa 1 milionë e 714 mijë denarë nga Ministria e Kulturës. Këtë e kanë bërë të ditur sot ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime Fatmir Bytyqi, në konferencë për shtyp në Qeveri.
Kostadinovska-Stojçevska rikujtoi se Qeveria dhe Ministria e Kulturës siguruan adresë të re dhe hapësirë për shfrytëzim të përhershëm për Institucionin e ri Nacional Orkestrën e muzikës xhaz të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose, siç njihet ndryshe, Orkestra Shoqata e muzikantëve të xhazit dhe artistëve të lirë.
Ajo informoi se Ministria e Kulturës ka siguruar krijimin e projektit bazë për rinovimin dhe rregullimin e hapësirës dhe për riparimin e instalimeve të hapësirave të bodrumit në godinën e Institucionit Nacional të Operës dhe Baletit.
– Hapësira ka sipërfaqe prej 475 metra katrorë kurse projekti parashikon rregullimin e hapësirës për provë dhe regji, studio të vogël, hapësirë për ruajtjen e instrumenteve dhe notave, dhomat e grimit për burra dhe gra, tualete dhe tre hapësira për zyre. Projekti parasheh edhe dhoma për pajisje mekanike dhe instalime elektrike – tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo shtoi se si Ministri e Kulturës dhe personalisht ajo si ministre është veçanërisht e kënaqur me këtë zgjidhje urbane për një orkestër siç është Orkestra e muzikës xhaz.
– Me punën e Shoqatës së muzikantëve të xhazit në këtë zonë të qytetit po ringjallim shumë kujtime të vjetra të Shkupit, po rrumbullakojmë hapësirën ku ndodhen shkolla e mesme e muzikës, Fakulteti i Muzikës, Opera Nacionale dhe Baleti, Filarmonia, si dhe parku plot gjallëri “Ibni Pajko”– theksoi ministrja e Kulturës. Ajo shtoi se Orkestra e muzikës xhaz e plotëson dhe pasuron këtë ambient muzikor dhe artistik dhe duke pasur parasysh se xhazi është muzikë e stileve të lira, siç tha ajo, është e bindur se prania e vazhdueshme e muzikantëve të xhazit këtu do të nënkuptojë cilësi të re për kulturën, jetën shoqërore dhe për imazhin e Shkupit.
– Në fund, më lejoni t’ju kujtoj se, siç premtuam, u deshën vetëm disa muaj për të zyrtarizuar vendimin për themelimin e institucionit të ri- Orkestrës, e cila në vitet e kaluara është kthyer në një nga institucionet e preferuara e cila përmbush një boshllëk të madh në kulturën muzikore bashkëkohore të vendit. Kam besim se Orkestra e muzikës xhaz do të zhvillohet në një shtytës edhe më serioz të kulturës në vend dhe afirmues i muzikës maqedonase dhe artit skenik në mbarë botën- ka thënë Kostadinovska- Stojçevska.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime Fatmir Bytyqi, theksoi në konferencën për media se me këtë po krijojmë një ambient modern ku orkestra do të mund të krijojë pa pengesa muzikën xhaz, e cila do ta vendosë Maqedoninë e Veriut në hartën e vendeve që institucionalisht e ushqejnë këtë stil muzikor.
Bytyqi sqaroi se bëhet fjalë për mjete financiare nga programi TAV, më konkretisht për diferencën pozitive prej rreth 30 milionë denarë në mes të çmimit të parashikuar dhe të realizuar të projekteve të infrastrukturës tashmë të realizuara në komunat tona.
“Afro 50 milionë euro të shpërndara nëpër të gjitha komunat, për të gjithë qytetarët. Për një jetë cilësore për të gjithë” – tha Bytyqi, i cili informoi edhe për projekte të tjera që do të realizohen me mjete përmes programit TAV.