Në Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup, sonte (4 nëntor) në ora 20:00 do të hapet ekspozita vetjake “Të lehurit në re nuk i dëmton qentë” e Driton Selmanit nga Kosova. Kuratorë të ekspozitës janë: Vladimir Jançevski, Iva Dimovski dhe Bllagoja Varoshanec.
Selmani është një nga tre autorët e shpërblyer për “Autori dhe vepra më e suksesshme” në Bienalen e 13-të Ndërkombëtare të Artistëve të Rinj të vitit të kaluar, dhe çmimi nënkupton realizimin e një projekti të pavarur në MAB – Shkup.
MSU thekson se duke paraqitur diversitet dhe ndërhyrje specifike në hapësirën e MAB-Shkup, ekspozita e punimeve tekstuale, objekteve dhe videove përpiqet të krijojë raporte të reja në kontekstin e dhënë, duke treguar qartë mënyrat se si Selmani përdor me zgjuarsi një formë specifike e humorit për të eksploruar dhe vënë në dyshim jetën e përditshme, e cila zakonisht është e lidhur me traditat absurde dhe strukturat hierarkike.
„Veprat fokusohen në çështje të ndryshme të bashkëkohësisë sonë të pasigurt, duke filluar nga kultura popullore, te diskurset mbizotëruese të pushtetit, të cilat formësojnë jetën tonë dhe vënë në dyshim narrativat historike, stereotipet, ndjenjën e përkatësisë dhe përjashtimit”, shtoi MAB.
Autori Selmani thotë se historia e MAB-Shkup, si simbol i solidaritetit, për të është shumë e rëndësishme.
“Ideja sesi solidariteti mund të mbijetojë në kohë si kjo dhe të jetë një platformë për të treguar praktikën time artistike është një përvojë fantastike për mua. Ekspozita përmban vepra arti, të fokusuara në çështje të ndryshme të situatës sonë bashkëkohore. Më intereson shumë njohja e së përditshmes, shpesh e lidhur me traditat absurde dhe strukturat hierarkike, si kultura popullore dhe diskurset dominuese të pushtetit. Pra, këtë gjendje shpirtërore përpiqem ta përcjell në veprat e artit, të cilat në mënyrë të pavetëdijshme përmbajnë humor, si një kritikë e asaj që ne besojmë se është përfundimtare”, thotë Selmani.
Driton Selmani (Ferizaj, Kosovë / 1987) punon dhe jeton në Prishtinë dhe Doganaj. Studimet master i kreu në Universitetin e Artit në Bournemouth të Britanisë së Madhe. Deri më tani ka ekspozuar në ekspozita individuale dhe grupore në Prishtinë, Budapest, Vjenë, Sao Paulo, Ankona, Beograd, Marrakesh dhe vende të tjera.
Ekspozita mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë e hapur deri më 25 shkurt 2023.