Me leximin tradicional të “T’ga za jug” dhe ndezjen e zjarrit të poezisë, në, sonte përballë Qendrës së Kulturës “Vëllezërit Milladinovci”, me fillim nga ora 20:00, zyrtarisht do të hapet edicioni i 62-të i festivalit të poezisë, “Mbrëmjet strugane të poezisë”.
Aktivitetet e festivalit do të fillojnë saktësisht në mesditë me mbjelljen e pemëve në Parkun e poezisë, për nder të laureatit të sivjetshëm dhe fituesit të “Kurorës së Artë”, poetit maqedonas Vllada Urosheviç.
Festivali i cili do të zgjasë deri më 28 gusht, këtë vit po mbahet me moton “Gjuha ndjenjëkrijuese”.
Këtë vit leximet kryesore poetike do t’i drejtojnë mbi 25 poetë të huaj dhe vendas nga brezi i vjetër, por edhe i ri.
Në kuadër të programit, më 26 gusht, në kishën e “Shën Sofjës” në Ohër, do të mbahet portreti poetik i laureatit të çmimit “Kurora e Artë”, Vlada Urosheviç.
Paraprakisht, në kishën e “Shën Sofjës” do të mbahet manifestim solemn me rastin e jubileut – 100 vjet nga lindja e poetit Aco Shopov, i cili ishte edhe kryetar i bordit të parë të festivalit.
Kremtimi në nder të Shopovit do të vazhdojë me ekspozitën e fotografive në lidhje me pjesëmarrjen e tij në “Mbrëmjet strugane të poezisë” dhe kontributin e tij në themelimin dhe zhvillimin e festivalit. Në të njëjtën kohë do të promovohen botimet e tij të përkthyera në disa gjuhë.
Programi i sivjetshëm përfshin portretet e fituesit të çmimit “Urat e Strugës”, Gevin Bradli dhe fituesit të çmimit “Vëllezërit Milladinovci” për vitin 2023, Dimitar Bashevski.
Në kuadër të programit të MSP-së do të organizohet ngjarje e veçantë lidhur me performancën e poetëve të përzgjedhur nga platforma “Versopolis”, ndërsa me rastin e përvjetorit “200 vjet nga lindja e Shandor Petefi” do të hapet ekspozitë për jetën dhe veprën e këtij poeti hungarez.
Është planifikuar edhe një tryezë e rrumbullakët me temë “Gjuha poetike dhe inteligjenca artificiale”.