Ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Ljutkov, në hapjen ceremoniale të edicionit të 63-të të “Mbrëmjeve strugane të poezisë” theksoi se kjo ngjarje prestigjioze, falë entuziazmit dhe krijimtarisë së brezave të poetëve maqedonas, por edhe prezencës nga autorët më të mëdhenj botërorë, është etabluar si promotori më i madh i poezisë maqedonase dhe asaj bashkëkohore botërore. Mbrëmjet e poezisë strugane dëshmojnë për vlerat kulturore që krijohen në hapësirat maqedonase dhe në meridianet botërore, ato janë një antologji dinamike dhe e gjallë e poezisë botërore”, tha ministri Ljutkov, duke theksuar se kjo ngjarje ka rëndësi globale, e respektuar dhe verifikuar nga publiku kulturor botëror.“Në vazhdimësi, për gjashtëdhjetë e tre vjet, poetë nga e gjithë bota, këtu në Strugë, përcjellin bukurinë e fjalës së shkruar dhe me një zë të vetëm harmonik, i dërgojnë botës një mesazh të qartë – se nuk ka të gjuhë të vogla e të mëdha, kultura të vogla dhe të mëdha. Mbi lumin Drin, mbrëmjet strugane të poezisë bashkojnë vargjet e gjuhës së mirëkuptimit qytetërues, gjuhën që të gjithë ne doemos duhet ta flasim dhe ta respektojmë”, theksoi ministri i Kulturës dhe i Turizmit në fjalimin e tij para të pranishmëve. Duke shprehur kënaqësinë që këtë vit, plejadës së poetëve fitues të çmimit prestigjioz, fitues i Kurorës së Artë të Poezisë për vitin 2024, i bashkangjitet i madhi Jean-Pierre Simeon, ministri Ljutkov thekson se është një nder i madh për ne që ai është me ne sonte dhe Struga dhe Maqedonia do të jenë nxitja dhe frymëzimi i tij për shumë vargje të reja, si foto dhe peizazhe nga kjo zemër e madhe e Ballkanit.
“Mbi gjashtë dekada, poezia e mirënjohur “T’ga za jug” e korifeut të poezisë artistike maqedonase, Konstantin Miladinov, është himn botëror për ngrohtësinë brenda, në shpirtin e njeriut dhe të qytetërimeve të ndryshme”, tha Ljutkov, i cili uroi shumë edicione të suksesshme të manifestimit ndërkombëtar “Mbrëmjet strugane të poezisë” dhe njoftoi se Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, me mbështetjen e Qeverisë së Maqedonisë, do të vazhdojë të promovojë vlerat universale civilizuese dhe kulturore.”Ne do t’u mbetemi besnikë angazhimeve tona për të festuar së bashku sukseset e këtij festivali me koncept kozmopolit dhe universal, për të ndërtuar lidhje të pathyeshme kulturore mes popujve dhe për të ushqyer traditën e bashkimit të botës përmes fjalës poetike”, theksoi ministri Ljutkov.
Në kuadër të ceremonisë së hapjes solemne, në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Strugë performoi pianisti ynë i njohur Dino Imeri, ndërsa një mesazh poetik lexoi poeti i shquar Vele Smilevski. Në leximin tradicional të poezisë “Meridianët”, vargje të tyre lexuan: fituesi i Kurorës së Artë, poeti dhe dramaturgu i shquar francez Jean-Pierre Simeon; fituesja e çmimit “Vëllezërit Miladinovci” për vitin 2024, poetja dhe teoricientja jonë e shquar e letërsisë Katica Qulavkova; fituesja e çmimit “Urat e Strugës”, poetja gjermane Katrin Pitz, dhe poetë të tjerë të huaj dhe vendas. Motoja e festivalit të sivjeçëm është “Prekja e së bukurës”, me të cilën ndër të tjera, nderohen inovacionet e shkrimit braj, kodifikimi i së cilës 200 vjet më parë u mundësoi të verbërve, përmes komunikimit taktil dhe relievit të shkrimit braj, që përmes prekjes të depërtojnë në botën e librit dhe letrës dhe ta ndjejnë bukurinë e poezisë.