Kostadinovska-Stojçevska: Mos të pritet momenti i fundit për të aplikuar në Konkursin aktual për mbështetje të projekteve për vitin 2024

од admin_kult

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot në emisionin e mëngjesit “Maqedonia në mëngjes” në Radiotelevizionin e Maqedonisë, apeloi deri te përdoruesit që ende nuk kanë aplikuar në Konkursin vjetor për mbështetje të projekteve me interes nacional në kulturë për vitin 2024, duke pasur parasysh se kjo është java e fundit dhe të mos presin afatin e fundit.

“Është publikuar një video prezantim mbi hapat e aplikimit për të ndihmuar përdoruesit. Sistemi është i thjeshtuar. Ftojmë ata që nuk kanë aplikuar më parë të aplikojnë. Njoftojmë se dokumentacioni duhet të jetë i plotë. Nuk duhet të ketë mbingarkesë të sistemit dhe pritje të momentit të fundit”, tha ministrja e Kulturës.

Ajo kujton se sistemi elektronik i regjistrimit për konkursin 2024 për mbështetjen e projekteve me interes nacional në kulturë është hapur që nga 3 tetori, i cili do të mbyllet më 6 nëntor, saktësisht në mesditë.

Kostadinovska-Stojçevska informoi se komisionet që do t’i shqyrtojnë projektet e pranuara tashmë janë formuar dhe po vjen periudha kur të fillojnë shqyrtimin e aplikacioneve të institucioneve nacionale.

“Besojmë se risitë dhe ndryshimet që kemi bërë në Konkurs do të ofrojnë cilësi shtesë. Prioritetet kryesore për çdo aktivitet apo fushë mbeten të njëjta, cilësi, inovacion, kreativitet. Vitin e ardhshëm, në vitin 2024, fokusi do të jetë në mbështetjen e të rinjve. Nuk mund të kërkohet gjithmonë vetëm përvoja, përparësi duhet t’u jepet të rinjve që aplikojnë për herë të parë në konkurs”, tha Kostadinovska-Stojçevska, e cila përkujtoi se Ministria e Kulturës për vitin 2024 aktivitetet dhe fushat ekzistuese i ka plotësuar me programin e ri buxhetor – industritë kreative.

Kostadinovska-Stojçevska përmendi edhe përvojën pozitive nga projekti “Vizato në maqedonisht”, në të cilin u mbështet kreativiteti dhe idetë inovative të një numri të madh të të rinjve, dhe pikërisht në atë drejtim  do të lëvizin  prioritetet për vendimmarrje të komisioneve në konkurset vjetore.

“Çdo vit iu dha dhe vazhdon t’i jepet përparësi traditës, kulturës, gjuhës, identitetit tonë dhe asaj që përfaqëson krenarinë tonë nacionale. E gjithë kjo ka avantazh dhe ndonjëherë financohet tërësisht nga Ministria e Kulturës. Nuk është vetëm përgjegjësi e I.N-ve që merren me atë veprimtari, më duhet të përmend: I.N “Tanec”, I.N Ansambli i valleve dhe këngëve popullore shqiptare, “Ilindenski Denovi” të organizuara nga QK në Manastir, festivali “Ruta” i cili organizohet nga Teatri i Dramës. Komisionet çdo vit i kushtojnë rëndësi krijimtarisë, veçantisë së autorëve të rinj, por vlerat tradicionale përfaqësohen në mënyrë të barabartë në financimin e projekteve në fushën e kulturës”, tha Kostadinovska-Stojçevska.

Ministrja e Kulturës shprehu besimin se buxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2024 do të jetë më i lartë, por kujtoi se konkurset i referohen mbështetjes së projekteve dhe jo financimit të plotë.

Gjatë emisionit, Kostadinovska-Stojçevska foli edhe për ngjarjet që së fundmi shënuan 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Ajo shprehu edhe një herë kënaqësinë që gjuha maqedonase mësohet në një institucion eminent të arsimit të lartë siç është Kolegji i Londrës dhe shprehu besimin se këto aktivitete do të avancohen në të ardhmen.

Kostadinovska-Stojçevska theksoi rëndësinë e kulturës në promovimin e një shteti, këtë e vërtetoi interesimi për koncertin e pianistit Dino Imeri i cili performoi në Londër, ndërsa këtë muaj do ta vërtetojnë edhe shfaqjet e filmave “Toka e mjaltit” dhe “Kajmak” në kryeqytetin britanik. Lidhur me takimin me studentët që shkollohen në institucionet e arsimit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, ministrja e Kulturës tha se ishte një takim plot shpresë, me të rinjtë që kanë dëshirë t’i zbatojnë aftësitë e tyre në zhvillimin e shtetit maqedonas.

U bisedua edhe për “Shkupin – Kryeqytet i Kulturës Evropiane”, për të cilin ajo rikujtoi mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës për këtë titull prestigjioz, që kërkon punë dhe përkushtim të madh. Bartës të aplikacionit janë Qyteti i Shkupit dhe I.P Salla Universale dhe, siç tha ministrja e Kulturës, do të tregojmë se dimë dhe mundemi.

“Kryeqyteti i Kulturës Evropiane është vërtet titull shumë prestigjioz, por është titull që kërkon shumë punë dhe përkushtim, jo ​​vetëm deri në vitin 2028, por edhe më tej. Viti 2028 do të jetë vetëm viti fillestar në të cilin ne do të tregojmë atë që dimë dhe çfarë mund të bëjmë, dhe e di që kemi shumë për të treguar e për t’u mburrur, por gjithçka që do të pasojë pas vitit 2028 do t’i nënshtrohet vëzhgimit nga komisioni që na e ka dhënë atë titull”, shtoi Kostadinovska-Stojçevska.

Për sallën Universale, ministrja e Kulturës tha se ende nuk ka përfunduar procesi për marrjen e dokumentacionit nga Qyteti i Shkupit.

“Fatkeqësisht, topi është ende në duart e Qytetit të Shkupit. Vetëm në seancën e Qytetit të Shkupit u votua, në të cilën këshilltarët u pajtuan që kompetenca për rindërtimin e Sallës Universale t’ia kalojë Ministrisë së Kulturës. Krijohet përshtypja se Salla Universale tani është e Ministrisë, gjë që nuk është aspak kështu. Kemi vetëm një vendim të Këshillit të cilin kryetari duhet ta zbatojë. Ne dolëm pak përtej kompetencave tona, dy ditë më parë dërguam propozim-kontratë për të marrë të drejtën e rindërtimit të Sallës Universale. Bëj apel që të përfundojë sa më shpejt. Ne kemi vërtet nevojë për atë objekt. Qeveria dhe Ministria e Kulturës janë institucionet përgjegjëse, por veprimet dhe procedurat do të nisin sapo të marrim dokumentacionin. Synimi ynë është që sa më shpejt ta marrim Sallën Universale dhe të fillojmë punën intensive për restaurimin e saj për Shkupin, që më në fund kryeqyteti të marrë një sallë që e meriton kryeqytetin e kulturës evropiane”, tha Kostadinovska-Stojçevska.

Në fund të emisionit, ministrja e Kulturës njoftoi se më 20 dhjetor, kur është edhe ditëlindja e Aco Shopovit, me premierën e shfaqjes së baletit “Lutjet e trupit tim” në Operën dhe Baletin Nacional, festohet 100-vjetori i lindjes së poetit. Shfaqja është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe është aktualizim teatror i ciklit poetik me emër të Aco Shopov.

Можеби ве интересира:

Страницата на Министерството за култура на РС Македонија користи т.н. „колачиња“ со цел да обезбеди подобро корисничко искуство. Прифати Повеќе