“Qëndrueshmëri – Tregime për gratë që frymëzojnë ndryshime” titullohet ekspozita e World Press Photo, e cila do të hapet sonte në ora 20:00 në Qendrën Multimediale “Mala Stanista” në Shkup.
Fondacioni World Press Photo dhe Mbretëria e Holandës me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave prezantojnë përzgjedhje tregimesh, të shpërndara në konkurset World Press Photo nga viti 2000 deri në 2021, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë dhe sfidat e grave, vajzave dhe komuniteteve në mbarë botën.
Ekspozitën do ta hap ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, ndërsa fjalim do të ketë edhe ambasadori holandez Dirk Jan Kop.
Kuratorja nga Fondacioni World Press Photo, Marika Tsukrovski, nesër nga ora 11:00 do të mbajë ligjëratë në Kinematekën e Maqedonisë së Veriut. Qendra maqedonase për fotografi organizon punëtori fotografike për fotografinë dokumentare me temën “Të drejtat e njeriut” deri më 7 dhjetor, në të cilat marrin pjesë 11 studentë të fotografisë.
Ekspozita organizohet nga Qendra Maqedonase për Fotografi në partneritet me Galerinë Kombëtare dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.