Poeti Zhan-Pjer Simeon nga Franca është fitues i çmimit “Kurora e Artë” për këtë vit, njoftoi sot profesoresha Elizabeta Sheleva, kryetare e Këshillit Drejtues të Mbrëmjeve të Poezisë Strugane.
Në festën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë për Ditën Botërore të Poezisë, për festivalin folën profesoresha Sheleva dhe drejtori i MSP-së, Todorçe Tasevski.
Çmimi do t’i jepet laureatit të leximit të poezisë “Urat e Strugës”, një nga manifestimet qendrore të edicionit të përvitshëm të festivalit, i cili do të mbahet nga data 22 deri më 26 gusht.
Në fjalën e saj, Sheleva theksoi se Zhan-Pjer Simeon është poet me një gamë të gjerë të potencialit të tij krijues, i realizuar në disa fusha dhe zhanre.
Fituesja e çmimit “Urat e Strugës” për vitin 2024, të cilin Mbrëmjet strugane të Poezisë në bashkëpunim me UNESCO-n e shpërblejnë për përmbledhjen më të mirë debutuese, është poetja gjermane Katrin Pitc për përmbledhjen me poezi “Ka pasur gjithmonë ditë të tilla”.
Drejtori i mbrëmjeve strugane të poezisë, Todorçe Tasevski, tha se këtë vit po e rinovojnë çmimin “Struga e re”, i cili do të ndahet për dorëshkrim poetik të pabotuar të një poeti apo poeteje të re. Mbrojtës i çmimeve “Enhalon” dhe “Struga e re” këtë vit do të jetë Delegacioni i BE-së, përmes Shtëpisë Evropiane në Strugë – anëtari më i ri i rrjetit të Shtëpisë Evropiane.