Në organizim të Bibliotekës Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit”- Shkup, nga 4 deri më 6 tetor në Strugë, mbahet konferenca e 10 vjetorit të drejtorëve të bibliotekave nacionale nga Evropa Juglindore.
Në hapjen e Konferencës u drejtua zëvendësministri i kulturës Daim Luçi i cili para të pranishmëve theksoi gatishmërinë e Ministrisë së Kulturës për mbështetjen pa rezervë të veprimtarisë bibliotekare si dhe përmirësimin e shërbimeve në këtë fushë sipas trendeve moderne.
Drejtori i BNU “Shën Klimenti i Ohrit”, Rahmetulla Kuqi, i cili theksoi angazhimet dhe aktivitetet e kësaj biblioteke nacionale si dhe disa nga të pranishmit mbajtën prezantimet e tyre me temën “Trendet në funksionimin e bibliotekës”. Në konferencë fjalime mbajtën edhe Frank Shullc, Kryetar i Konferencës së bibliotekave nacionale evropiane (CENL), Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Nacionale të Shqipërisë; Ismet Ovçina, drejtor i Bibliotekës Nacionale dhe Universitare të Bosnjës dhe Hercegovinës; Judit Gerençer, zëvendës-drejtoreshë e Bibliotekës Nacionale të Hungarisë; Mehmet Demir, Drejtor i Bibliotekës Nacionale të Turqisë; Alesh Boshnjak, drejtor i Institutit për Shkenca Informative nga Maribori i Sllovenisë.
Në kuadër të Konferencës u hap ekspozita e afisheve në të cilat janë vendosur koleksionet e veçanta në BNU “Shën Klimenti i Ohrit”, për të cilën sqarim profesional kishte udhëheqësi programor i BNU “Shën Klimenti Ohrit”, Jovica Tasevski.
Kjo ekspozitë e rëndësishme prezanton riprodhimet e të mirave bibliotekare të deklaruara si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë dhe të jashtëzakonshme si dhe materiale të tjera, të përcjella me tekste koncize informative në gjuhën maqedonase dhe angleze.
Konferenca miratoi konkluzionet për monitorimin e vazhdueshëm të tendencave dhe zbatimin e risive në punën bibliotekare, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve, përmirësimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të bibliotekave nacionale nga rajoni, inicimin e projekteve të përbashkëta, duke mundësuar qasje të hapur në numrin më të madh të mundshëm të materialeve, ndarjen e përvojave, etj. U dakordua që konferenca e ardhshme, e 11-të e bibliotekave nacionale nga Evropa Juglindore të mbahet në Mal të Zi.