Zëvendës ministri i Kulturës Daim Luçi në suaza të takimit njëditor të punës në Republikën e Shqipërisë, sot në Tiranë u takua me kolegen e tij, zëvendës ministren e Kulturës, Meri Kumbe.
Në takim u diskutua për rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Liqenit të Ohrit në suaza të UNESKO-s, fillimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore, si dhe koordinimin në shumë segmente të tjera që do të forconin më tej marrëdhëniet në mes dy vendeve. Bashkëbiseduesit ranë dakord të mbajnë komunikim të vazhdueshëm në interes të vlerave të vërteta kulturore.
Zëvendës ministri sot do të marrë pjesë edhe në hapjen e ekspozitës së veprave të artistit maqedonas Zoran Kardulla në qendrën kulturore-informative në Tiranë.
Bëhet fjalë për ekspozitën e parë të Kardullës në Tiranë e cila ofron 13 vepra të këtij artisti, dizajner grafiku dhe piktor, udhëheqës i gjeneratës së artistëve veprat e të cilëve janë gjithmonë aktuale me kohën.