Violinisti me famë botërore nga Lituania, Julian Rachlin, do të hapë edicionin e 64-të të festivalit “Vera e Ohrit” më 12 korrik në Teatrin Antik në Ohër. Artisti i njohur do të performojë si dirigjent dhe violinist, së bashku me Orkestrën Filarmonike Kombëtare.
Në konferencën e sotme për media, drejtoresha e IN “Vera e Ohrit”, Natasha Popoviq, duke bërë të ditur programin e festivalit, tha se nga data 12 korrik deri më 20 gusht do të hapen skenat: Teatri Antik, Dolni Saraj, oborri i “Shën Sofjes” si dhe kishën “Shën Sofje” dhe Qendrën e Kulturës, do të mirëpriten mbi 500 artistë nga 24 vende dhe natyrisht artistë vendas.
Programi artistik i ideuar nga përzgjedhësit Bisera Çadllovska dhe Sanja Arsovska do të sjellë 36 përvoja unike, shumica e të cilave janë në fushën e muzikës klasike, gjashtë krijime teatrale dhe nga një ekspozitë dhe promovim librash.
Repertori i muzikës klasike do të sjellë emra të njohur, ndër të cilët pianisti Barry Douglas nga Britania e Madhe, kitaristi Gerhart Reichenbach nga Gjermania, si dhe dyshja franko-belge e violonçelit dhe pianos, Cammy Thoma dhe Julien Brokal. Në program do të jetë edhe kitaristi i njohur maqedonas Vlatko Stefanovski. Ditëlindja e “Vera e Ohrit” në Dolni Saraj do të festohet me një event spektakolar, me ansamblin salsa “Mercadonegro”.
Në programin e teatrit, premiera e parë do të bëhet më 22 korrik me shfaqjen “Pulëbardha” e Teatrit Kombëtar nga Manastiri, me regji të Bagriana Popov. Më 28 korrik do të shfaqet premierë “Mbreti Lir” i Shekspirit me regji të John Blondel, prodhuar nga teatri “Lit Moon” nga Kalifornia, SHBA dhe bashkëprodhuar me Finlandën, Armeninë dhe Maqedoninë e Veriut. Është planifikuar edhe premiera e shfaqjes “Racin”, e bazuar në dramatizimin e Sasho Dimovskit dhe regjinë e Dejan Projkovskit, të cilën Teatri Veleski do ta interpretojë më 30 korrik. Shfaqjet teatrale “I pafajshëm” me SNG Dramë nga Maribori, “Një fluturoi mbi folenë e qyqeve” me Teatrin e Dramës nga Beogradi, një shfaqje stand-up nga aktori serb dhe hollivudian Nikolla Djuricko, si dhe shfaqja “Alisa në tokën e frikës” prodhuar nga Teatri i Dramës Jugosllave nga Beogradi, i cili do të rrëzojë perden e edicionit të festivalit të sivjetmë.