Ministria e Kulturës njofton se Grupacioni i NLB-së ka shpallur thirrje publike ndërkombëtare për artistë të rinj nga Evropa Juglindore për të pasuruar koleksionet e artit të këtij grupacioni, i cili është përkrahës i kulturës dhe artit në rajon.
Thirrja u dedikohet artistëve nën moshën 35 vjeçare nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, të cilët duhet të dorëzojnë veprat e tyre të artit në fushën e artit intermedia, të krijuara në pesë vitet e fundit.
Veprat e artit duhet të korrespondojnë me konceptin e koleksionit të artit bashkëkohor “Arti i Evropës Juglindore” (“SEE Art”), i hapur në janar 2023, i cili përfaqëson kulturat, identitetet dhe kujtimet e ndryshme që kanë formësuar historinë e përbashkët në rajonin të Evropës juglindore.
Punimet më të mira do të ekspozohen në hapjen e galerisë “Bankarium” në Lubjanë, ndërsa vepra fituese do të blihet nga Grupacioni i NLB-së dhe do të përfshihet në këtë koleksion të artit bashkëkohor.
Veprat e artit që do të mbërrijnë në thirrjen publike ndërkombëtare do të vlerësohen nga komitet ndërkombëtar ekspertësh prej pesë anëtarësh.
Thirrja publike ndërkombëtare është e hapur deri më 21 mars 2024, ndërsa më shumë informacion mund të gjeni në LINKUN.