Në takimin e sotëm të ministres së Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska me ambasadorin e Austrisë Georg Vucas, u bisedua për mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet dy vendeve.
Në takim u theksuan marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Austrisë dhe bashkëpunimi i shkëlqyer afatgjatë në shumë projekte kulturore. Ndër të tjera, bashkëbiseduesit diskutuan për krijimin e një Komisioni të ri të përbashkët të përbërë nga përfaqësues të dy ministrive, me qëllim zbatimin e programeve kulturore, si dhe nënshkrimin e një Protokolli të ri për bashkëpunim në fushën e kulturës, shkencës dhe arsimit ndërmjet dy vendeve.
Ministrja Kostadinovska-Stojçevska përshëndeti iniciativën e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Vjenë për hapjen e Qendrës Informative Kulturore që do të ndihmojë në bashkimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Republikën e Austrisë.
Në takim, Kostadinovska-Stojçevska dhe Vucas u pajtuan që në periudhën e ardhshme, duke krijuar kushte më të mira për realizimin e ngjarjeve kulturore në kuadër të pandemisë, duhet të vazhdojë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shkëmbimi i projekteve dhe artistëve në të dyja vendet.