Sllave Gjorgjo Dimoski është autor i poezisë “Sot”, e zgjedhur si poezia më e mirë për çmimin që çdo vit ndahet nga Institucioni Nacional – Qendra për Kulturë “Grigor Prliçev” nga Ohri. Çmimi do t’i ndahet laureatit në kuadër të manifestimit “Prliçevi besede”, i cili zhvillohet në fillim të muajit shkurt.
Vendimi për zgjedhjen e poezisë më të mirë është marrë njëzëri nga Komisioni i përbërë nga Millovan Stefanovski – kryetar dhe anëtarët Elizabeta Sheleva dhe Ivan Dodovski.
Sipas njoftimit të Komisionit, në konkurs janë paraqitur shtatë vepra të autorit, prej të cilave në listën e ngushtë përveç asaj të shpërblyer ka hyrë edhe poezia “Harmagedoni – Dita e Gjykimit të Madh”, e paraqitur me kodin “Vallter”.
Vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit është se cilësia e disa prej poezive të regjistruara nuk është në nivelin e pritur, sidomos duke pasur parasysh reputacionin e çmimit dhe vlerat e disa titujve të ndarë në vitet e kaluara.
Sipas anëtarëve të Komisionit, poezia fituese e çmimit “Sot” u dallua nga pjesa tjetër e dorëshkrimeve të dorëzuara, duke ofruar “rezonanca të çmuara me të tashmen, duke përditësuar në mënyrë diskrete disa tema si p.sh., posthumanizmi, rreziku masiv, migrimet dhe lufta”.
Sllave Gjorgjo Dimoski (poet, eseist, përkthyes) ka diplomuar në Fakultetin Filologjik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Për dy mandate ka qenë kryetar i Këshillit Drejtues të I.N. “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”. Është themelues dhe menaxher shumëvjeçar i festivalit “Nata e poezisë në Velestovë”. Ai është autor i librave të shumtë me poezi, ka botuar gjashtë libra për fëmijë dhe katër libra eseistike dhe ka përkthyer mbi tridhjetë libra nga poetë nga hapësira sllave.