Është shpallur konkursi për projektin më të madh të mobilitetit kulturor të BE-së “Kultura lëviz Evropën”, i cili është i dedikuar për artistë dhe punonjës të kulturës prej të paktën 18 vjeç, të cilët kanë vendbanim të rregulluar të ligjshëm në një nga vendet e përfshira në programin “Evropa kreative”. ndër të cilat është edhe Maqedonia e Veriut dhe që janë aktive në sektorët e artit skenik apo pamor, muzikës, trashëgimisë kulturore, arkitekturës, dizajnit, dizajnit të modës dhe letërsisë. Konkursi është i hapur deri më 31 maj 2024.
Konkurrentët mund të aplikojnë për grante mobiliteti për të mbuluar shpenzimet e tyre të udhëtimit dhe ato ditore si mbështetje financiare shtesë për të promovuar pjesëmarrje më të larmishme të njerëzve që përballen me pengesa për lëvizjen e lirë përtej kufijve.
BE-ja inkurajon veçanërisht artistët me aftësi të kufizuara që të aplikojnë në konkurs pasi Kultura lëviz Evropën u ofron atyre mbështetje të veçantë për të mbuluar kostot shtesë që mund të paraqiten si rezultat i pengesës së tyre, në mënyrë që t’u mundësojë atyre të marrin pjesë në projekte jashtë vendit.
– “Kultura lëviz Evropën” mbështet mobilitetin e të gjithë artistëve, përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara, duke u ndihmuar të kapërcejnë pengesat për të ndërtuar karrierën e tyre jashtë vendit. “Kultura lëviz Evropën” ka rolin e shtytësit të ndryshimit kulturor – tha Komisionerja Evropiane për Inovacion, Kërkim, Kulturë, Arsim dhe Rini, Iliana Ivanova.
Që nga shpallja e tij një vit më parë, përmes projektit “Kultura lëviz Evropën”, kanë marrë mbështetje financiare më shumë se 1800 artistë, të cilët për realizimin e projekteve të tyre kulturore bashkëpunojnë me partnerët e tyre nga një vend tjetër i përfshirë në programin “Evropa kreative”.
Të drejtë për pjesëmarrje kanë edhe ata kandidatë që janë refuzuar në konkursin e mëparshëm. Programi “Evropa kreative” përfshin 27 vendet anëtare të BE-së, gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Armeninë, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Tunizinë, Turqinë dhe Ukrainën.