Panairi dyditor i industrive kreative me fokus qëndrueshmërinë do të mbahet më 28 dhe 29 nëntor në kinemanë “Cineplex” në “Skopje City Mall”.
Më shumë se 40 pjesëmarrës do të prezantohen në Panair. Ngjarja organizohet nga shoqata “Ballkan Sinema Sitis” dhe Unioni i organizatave maqedonase në industria kreative UOMIK Shkup, së bashku me “Skopje City Mall”.
Në pjesën më të madhe do të prezantohen individë dhe biznese të vogla nga një sërë disiplinash krijuese, fokusi i të cilave është qëndrueshmëria, qasja kreative, unike. Është planifikuar pjesëmarrja e bizneseve të vogla dhe të mesme, fakulteteve, organizatave dhe platforma “Yes for Less”. Përveç botimeve unike letrare për fëmijë, robotikës dhe figurave të printuara në 3D, skulpturave, produkteve unike gastronomike, modës, dizajnit, do të ketë edhe muzikë e gjallë me instrumente, video lojëra “Nintendo”, zgjidhje elektronike nga Fakulteti i inxhinierisë elektrike dhe teknologjive informative, prezantimi i ushqimeve unike në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimore, mobilie dhe produkte unike prej druri të bëra nga mbetjet e mobilieve, kozmetikës organike, stripeve dhe shumë të tjera.
Risi në Panair janë disa punëtori edukative për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që do të mbahen në të dy ditët, si dhe prezantimet edukative në vetë stenda. Në aktivitetin dyditor, vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë edhe produktet.
Panairi i Industrive Kreative është ngjarje unike ku degë të ndryshme të industrive kreative do të prezantohen në një vend, në një hapësirë ekspozite, me qëllim nxitjen e krijimtarisë vendase, shfaqjen e ideve origjinale dhe të gjithë potencialit të industrive kreative për publikun. Panairi është projektuar si ekspozitë për sektorin kreativ i ndjekur nga punëtori, performanca live, ekspozitë galerie dhe ekspozitë qendrore. Bashkimi i infrastrukturës të tërë të stilistëve, artistëve dhe organizatave udhëheqëse është nismë që synon të rrisë profilin e sektorit kreativ, duke lidhur organizatat që ndajnë interes të përbashkët në industritë kreative. Ngjarja do të bashkojë të gjithë krijuesit, pavarësisht se nga cili segment i industrive kreative vijnë.
Panairi për industri kreative organizohet në dy pjesë, pjesa e dytë do të mbahet më 15 dhjetor në Manastir në Qendrën Kulturore dhe Informative – Manastir.
Ngjarja mbështetet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qyteti i Shkupit, Këshilli Britanik dhe “Neptun”.