Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sonte në Teatrin Antik në Ohër do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në hapjen e edicionit të 63-të të manifestimit më të njohur muzikor dhe skenik me karakter ndërkombëtar, “Vera e Ohrit”.
Hapja solemne e edicionit të gjashtëdhjetë e tretë të festivalit “Vera e Ohrit” do të nisë në orën 21:00 me koncertin e divës së operës me famë botërore Anxhela Gjorgjiu, e cila do të performojë me Orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e të jashtëzakonshmit, Ciprijan Teodorashku nga Rumania.
Festivalin “Vera e Ohrit” do ta shpallë të hapur nën patronazhin e tij, presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa në emër të artistëve të pranishmit do ti përshëndesë artistja jonë e njohur, dirigjentja Bisera Çadllovska.
Artdashësit gjatë periudhës prej 12 korrikut deri më 20 gusht do të kenë mundësinë të shijojnë 34 koncerte dhe shtatë shfaqje teatrale, ndërsa programi do të pasurohet me balet, ekspozitë fotografike dhe promovim libri. Në skenat e festivalit – Teatri Antik, Dolni Saraj, oborri i kishës “Shën Sofja” dhe Qendra e Kulturës – do të performojnë mbi 1000 artistë nga mbi 20 vende të botës: Serbia, Republika Çeke, Italia, Sllovenia, Polonia, Franca, Turqia, Izraeli, SHBA, Ukraina, Spanja, Mali i Zi, Greqia, Gjermania, Rumania. , Portugalia, Egjipti, si dhe artistë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.