Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në konferencën për media për rezultatet e Programit vjetor për projekte me interes nacional në kulturë për vitin 2024, në pyetjen e gazetarit se kur do të fillojë rindërtimi i sallës Universale, tha se Ministria e Kulturës mori rrugën më të vështirë, por procesi përfundoi dhe rindërtimi mund të nisë javën e ardhshme.
“Epopeja mbaroi. Kemi marrë rrugën më të gjatë dhe më të vështirë, por kemi mbledhur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për rikonstruksionin e godinës. Procesi ka përfunduar dhe javën e ardhshme kontraktuesi tashmë mund të fillojë pastrimin dhe punën. Paratë janë siguruar dhe mund të fillojë rikonstruksioni”, tha ministrja e Kulturës.
Ajo shtoi se askush nuk supozoi se pasi Ministria e Kulturës mori të drejtën për rindërtimin e sallës Universale, edhe pas katër thirrjeve urgjente te kryetarja, shërbimet dhe Këshilli i Qytetit të Shkupit, Ministria nuk do të merrte përgjigje.
“Ekipi i Ministrisë së Kulturës, përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe përmes të gjithë faktorëve përkatës që u përfshinë gjatë realizimit të projektit për rindërtimin dhe zgjerimin e sallës Universale, bëri thirrje urgjente dhe arriti të mbledhë të gjitha dokumentet përkatëse që nevojiten për finalizimin e procedurës administrative. Mbetet të nënshkruhet garancia bankare dhe mund të fillojë rindërtimi”, sqaroi Kostadinovska-Stojçevska.
Ministrja tha se në periudhën e kaluar Ministria e Kulturës ka punuar intensivisht për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm, por edhe për sigurimin e kushteve për vazhdimin e rikonstruksionit, gjë e cila dëshmohet edhe nga sigurimi i fondeve për vitin 2024 si dhe ofrimi i financimit trevjeçar.
“Me prokurimin publik shumëvjeçar kemi siguruar që ky proces i cili nuk guxon të vihet në dyshim të mos ketë asnjë pengesë deri në realizimin përfundimtar të tij”, sqaroi ministrja e Kulturës.