Kostadinovska-Stojçevska: Prioritetet e strategjisë së re për kulturë janë nevojat e institucioneve, skena e pavarur dhe zhvillimi i industrive kreative

од admin_kult

Në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut sot është mbajtur debat publik lidhur me Projekt-tekstin e Propozim-strategjisë nacionale për zhvillimin e kulturës me plan-veprim për periudhën e viteve 2023-2027.

Projekt-teksti i Propozimit të Strategjisë nacionale për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, i cili është publikisht i qasshëm në Regjistrin Nacional Elektronik të rregulloreve të Maqedonisë së Veriut, është përgatitur nga një grup punues me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, institucionet publike nga fusha e kulturës, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencor, shoqatat e qytetarëve nga fusha e kulturës dhe skena e pavarur kulturore, si dhe ekspertë nga fusha e kulturës.

Para fillimit të debatit publik, të pranishmit i përshëndeti ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila përkujtoi se para pak kohësh në Kinotekë është mbajtur debat publik për Propozim-ligjin për kulturë dhe sot, siç tha ajo, ka nderin të trajtojë debatin për Propozim-Strategjinë nacionale për kulturë me plan-veprimi për periudhën e viteve 2023-2027.

Kostadinovska-Stojçevska sqaroi se edhe Projekt-ligji për kulturë edhe Projekt-Strategjia nacionale për kulturë janë dokumente bazë që janë në funksion të krijimit të kushteve për realizimin e kulturës dhe zhvillimin e industrive kreative, dokumente që do ta pozicionojnë kulturën si faktor në zhvillimin e shoqërisë.

“Debatet publike sa janë obligim dhe detyrë, aq janë edhe privilegj i ynë. Këtu në forumin publik rilexojmë dokumentet strategjike me të cilat e avancojmë realizimin e kulturës në vend dhe debatojmë hapur dhe tregojmë gatishmërinë tonë për të gjitha vërejtjet dhe propozimet e reja krijuese dhe konstruktive për të përgatitur dokumente që do të pasqyrojnë cilësi, por edhe do të jenë të përafruara me politikat që ushqejnë vlerat evropiane”, tha Kostadinovska-Stojçevska.

Ajo përcolli angazhimet e sinqerta dhe kapacitetet e investuara profesionale të të gjithë atyre që punuan në Propozimin e Strategjisë Nacionale për Kulturën 2023-2027 dhe shprehu bindjen se e strukturuar në këtë mënyrë, me planin e parashikuar të veprimit, kjo strategji tashmë është një dokument që i afrohet seriozisht praktikave evropiane dhe politikave për realizimin dhe disenjimin e kulturës në një kontekst bashkëkohor.

Kostadinovska-Stojçevska sqaroi se Propozim-Strategjia nacionale për zhvillimin e kulturës me planin e veprimit 2023-2027 është dokument strategjik që përcakton qëllimet dhe prioritetet afatmesme për zhvillimin e kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është dokument bazë strategjik për fushën e kulturës, si për punën e Ministrisë së Kulturës, ashtu edhe për subjektet e tjera që operojnë në fushën e kulturës.

“Prandaj, Ministria e Kulturës”, shtoi Kostadinovska-Stojçevska, “krijoi një grup punues të ekspertëve, të cilët sipas analizave të tyre i ndau çështjet e zhvillimit strategjik dhe planifikimit në sferën e kulturës në tri fusha prioritare, kultura institucionale; kultura joinstitucionale dhe industritë kulturore dhe kreative.”

“Në periudhën e kaluar grupi i punës ka bërë analiza të gjera të të gjithë sektorëve të kulturës, duke kërkuar shtrirjen sa më të gjerë të nevojave të kulturës institucionale dhe joinstitucionale, të të gjitha subjekteve të tjera që realizojnë kulturën dhe artin, si dhe të publikut nga të gjitha rajonet e vendit. Gjithashtu, Strategjia përmban masa, qasja e të cilave është ndërsektoriale, dhe përfshin institucionet dhe aktorët e arsimit dhe shkencës, sektorët ekonomik, diplomacinë kulturore dhe turizmin, ndërsa qasja transversale mbulon temat përkatëse dhe drejtimet zhvillimore që prekin të gjithë sektorët dhe që duhet t’u qasen bashkërisht si p.sh.: bashkëpunimi ndërkombëtar, zhvillimi i kapaciteteve dhe programeve arsimore, si dhe transformimi i gjelbër i sektorit të kulturës”, theksoi ministrja e Kulturës.

Sipas Kostadinovska-Stojçevska, duhet pasur parasysh se për zbatimin e suksesshëm të Strategjisë Nacionale duhet të ketë harmonizim me dokumentet tjera strategjike në fusha të caktuara, si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare për zhvillimin e kulturës.

Duke falenderuar anëtarët e grupit punues, si dhe punonjësit e Ministrisë së Kulturës, për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në përgatitjen e Strategjisë së re me plan-veprim, Kostadinovska-Stojçevska shprehu bindjen se përvojat nga Strategjia e mëparshme nacionale dhe analizat e bëra pas saj, me të gjitha vëzhgimet dhe masat për tejkalimin e dobësive, do të realizojnë vlera që do të afirmojnë diversitetin dhe kulturën tonë dhe do të krijojnë vlera që do të na pozicionojnë fuqishëm në Evropë.

“Jam e bindur se përmes këtij dokumenti po i afrohemi qëllimit, të zhvillojmë kulturë me cilësi të lartë, të larmishme, kohezive, demokratike, krijuese nga e cila shteti do të përfitojë si në zhvillimin socio-kulturor ashtu edhe në atë ekonomik në nivel kombëtar dhe  nivel lokal”, shtoi Kostadinovska-Stojçevska.

Robert Allagjozovski, anëtar i grupit punues dhe koordinator nacional i Qeverisë për ndërkulturalizëm, një shoqëri, zhvillim kulturor dhe bashkëpunim ndërinstitucional, theksoi se konceptet e reja të kulturës, rrymat evropiane dhe botërore në zhvillimin e sistemeve kulturore, trende që vijnë jo vetëm nga politikat kulturore evropiane janë edhe një udhërrëfyes i zhvillimit të propozuar nga UNESCO-ja, janë vlera me të cilat dokumentet tona strategjike dhe planifikuese duhet të përputhen dhe pasqyrohen në to.

“Politikat kulturore evropiane, ndër të tjera, njohin fushën e industrive kreative dhe kulturore si vendimtare për zhvillimin e një sistemi kulturor bashkëkohor. Prandaj, është e nevojshme të krijohet një mjedis për zhvillimin e industrive kulturore dhe kreative që do të përdorë talentin, llojllojshmërinë dhe imagjinatën e qytetarëve tanë, do të tërheqë investime vendase dhe të huaja dhe do të rrisë pjesëmarrjen e industrive krijuese në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. “, tha Allagjozovski.

Ai shtoi se kultura jonë, traditat tona, aftësitë tona, nga arti bashkëkohor deri tek zanatet e lashta, janë të njohura gjerësisht në botë. Por, asnjë sistem kulturor nuk mund të mbahet dhe zhvillohet nëse krijimtaria nuk transmetohet brez pas brezi. Prandaj, siç tha Allagjozovski, sistemi ynë arsimor, arsimi ynë i përgjithshëm duhet të kujdeset për transmetimin e atyre traditave dhe të përpiqet vazhdimisht të përmirësojë njohuritë dhe trendet më moderne në art.

Në debatin publik u theksua se të gjitha vërejtjet dhe propozimet do të shënohen dhe shqyrtohen, ndërsa disa nga diskutuesit paralajmëruan sugjerime me shkrim.

Ministria e Kulturës dhe grupi i punës vijojnë punën për finalizimin e tekstit të Strategjisë Nacionale për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2023-2027 me plan-veprimi.

Anëtarë të grupit punues që përgatiti Projekt-tekstin e Propozim-Strategjisë nacionale për zhvillimin e kulturës me plan-veprimi për periudhën 2023-2027 janë Sllavica Babamova, Konstantin Dimitrovski, Maja Velkoviq-Panovska, Nesrin Tair, Robert Allagjozovski, Biljana Rajçinova- Nikollova, Dita Starova-Qerimi, Biljana Tanurovska-Qulavkovska, Violeta Kaçakova, Filip Jovanovski dhe Jane Vrteski.

Можеби ве интересира:

Страницата на Министерството за култура на РС Македонија користи т.н. „колачиња“ со цел да обезбеди подобро корисничко искуство. Прифати Повеќе