Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot i shpalli aktivitetet ndërtimore për rindërtimin dhe përshtatjen e Sallës Universale, pasi Ministria e Kulturës me marrëveshje ia mori të drejtat Qytetit të Shkupit.
– Ne e dimë se çfarë do të thotë zhvillimi i kulturës dhe nuk është e mundur pa këtë objekt shumëfunksional. Kjo sallë është e të gjithëve – artistëve, aktorëve të kulturës dhe mbi të gjitha publikut. Prandaj, misioni ynë në tre vitet e ardhshme do të jetë që këtë hapësirë ta rregullojmë ashtu siç i përshtatet Shkupit – tha ministrja e Kulturës.
Kostadinovska-Stojçevska paralajmëroi fillimin e punimeve për, siç tha ajo, simbolin e Shkupit – Sallën Universale dhe shtoi se Ministria e Kulturës është e gatshme që projektin ta realizojë pa probleme në tre vitet e ardhshme, për të cilin mjetet dhe dokumentacioni i plotë është siguruar.
– Të motivuar pikërisht nga rëndësia e Sallës Universale, si dhe nga heshtja dhe inertiteti i Qytetit të Shkupit, Qeveria dhe Ministria e Kulturës vendosën të marrin përgjegjësitë në mënyrë që përfundimisht të vazhdojmë me rindërtimin pa ndërprerje dhe mundësojnë që godina të jetë sërish funksionale – thotë ministrja e Kulturës, duke theksuar rëndësinë emocionale të Sallës Universale.
– Është nder, por edhe përgjegjësi e madhe, që i gjithë procesi i rindërtimit të zhvillohet me profesionalizëm, ekspertizë dhe përkushtim, ashtu si ne përpiqemi të promovojmë kulturën. Këtë e kemi treguar në vitet e kaluara dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. Nuk guxojmë t’i lëmë qytetarët pa shtëpinë e tyre – Sallën Universale – tha Kostadinovska-Stojçevska.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ministrja e Kulturës tha se me marrjen e obligimeve, objekti i Sallës Universale duhet të jetë gati për tre vjet dhe më pas do të kthehet në kompetencë të Qytetit të Shkupit, sipas marrëveshjes.
– Burimet financiare janë siguruar, një javë më parë është shpallur prokurimi publik për mbikëqyrjen e fazës së dytë me tender ndërkombëtar, që do të thotë se kur të përfundojë do të vazhdojë puna. Pra, tre vjet janë më se të mjaftueshme që objekti të përfundojë dhe t’i kthehet qytetit të Shkupit, që të jetë sërish nën autoritetin e tyre – tha Kostadinovska-Stojçevska.
Në këtë eveniment mori pjesë edhe Biljana Bllazhevska, menaxhere e kompanisë kontraktore “Universal – Balkan”; Bujar Muça, dizajner nga “Megaron Engineering”; Lubin Makarovski, inxhinier mbikëqyrës nga EOS E.E si dhe Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së dhe ish-kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të pranishmit shpjeguan se po ndërtohet sipas një projekti të sigurt dhe të rishikuar dhe se faza e parë do të përfundojë më së voni deri në fund të verës, pas së cilës faza e dytë do të vazhdojë pa ndërprerje, deri në përfundimin dhe dorëzimin përfundimtar. të objektit funksional të qytetit të Shkupit.