Me filmin e shkurtër “Taga” me regji të Tina Veliçkoviqit dhe shfaqjen teatrore për diplomim “Nofulla e Iben Bajers” me regji të Boris Vasilleskit, të dy tërësisht të krijuara nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike, dje në Teatrin Dramatik në Shkup nisën Takimet e 31-të Ndërkombëtare për studentët nga akademitë dhe fakultetet e artit dramatik “Skomrahi 2023”.
Në programin zyrtar të “Skomrahi 2023” sivjet do të shfaqen 25 filma dhe 7 drama studentore, e krahas kësaj do të mbahen ekspozita, punëtori, ligjërata dhe program i pasur muzikor.
Hapjen e takimeve, së bashku me studentë të shumtë të teatrit dhe filmit nga rajoni dhe nga Evropa, e përcolli ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila iu referua temës në fokus të “Skomrahi 2023” – marrëdhëniet ndërmjet artisti njerëzor dhe inteligjenca artificiale.
– Është ndjenjë e mrekullueshme të jesh në shoqërinë e të rinjve që janë pjesë e 31-të “Skomrahi”, aq më tepër që takimet e këtij viti fokusohen në temë shumë të rëndësishme që ka vlerat dhe avantazhet e veta, por edhe mënyra të ndryshme duke kontribuar në skenën e artit dhe krijimtarinë njerëzore – tha Ministrja e Kulturës pas hapjes zyrtare.
– Rëndësi të veçantë ka fakti që artisti e kërkon frymëzimin tek vetja dhe te mjedisi. Procesi i tij krijues buron nga emocionet, përvojat, opinionet dhe ndërveprimi me botën. Ai krijon vepra arti që pasqyrojnë pikëpamjen e tij unike për botën, kulturën, besimet dhe përvojat e tij. Në gjithë këtë diversitet, gjejmë një mori idesh dhe shprehjesh që pasurojnë skenën kulturore. Me ardhjen dhe avancimin e shpejtë të inteligjencës artificiale, skenari po ndryshon. Inteligjenca artificiale ka potencial të sjellë përparësi dhe sfida të ndryshme në përmirësimin e komunikimit dhe shkëmbimit të ideve në arsim dhe kulturë, por bazohet vetëm në të dhëna dhe analiza të modeleve, pa emocione, lumturi apo trishtim – tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo shtoi se këto janë vetëm disa aspekte që mund të hulumtohen dhe konsiderohen në kuadër të takimeve ndërkombëtare të studentëve në Fakultetin e Arteve Dramatike. Është e rëndësishme të debatohet dhe të eksplorohen mundësitë e përdorimit të inteligjencës artificiale në mënyrën më të mirë për të përmirësuar edukimin dhe përvojën e studentëve në shkollat e dramës.
– Edhe pse inteligjenca artificiale mund të krijojë imazhe, muzikë dhe tekste mbresëlënëse, ajo nuk ka një lidhje të thellë me emocionet njerëzore. Prandaj sinqerisht mendoj se përderisa ka artistë, ata do të gjejnë mënyra për të shprehur krijimtarinë e tyre – tha ministrja e Kulturës, duke u thënë artistëve të rinj që të vazhdojnë të krijojnë dhe të frymëzojnë sepse arti i vërtetë vjen nga zemra dhe shpirti, pavarësisht risive teknologjike të cilat padyshim do të vazhdojnë të na mahnitin edhe në të ardhmen.