Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, pas zjarrit që përfshiu sallën Universale, sot ka deklaruar se Ministria e Kulturës është në pritje të konstatimeve nga Prokuroria Publike, MPB-ja dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe apeloi që të mos përhapen spekulime deri në informacionet zyrtare për shkaqet dhe dëmet nga zjarri.
“Për një gjë dua ta siguroj opinionin maqedonas, se pas përfundimit të këtij procesi do të vazhdojnë aktivitetet ndërtimore dhe do të ndërtohet salla Universale dhe do t’u kthehet qytetarëve të Shkupit”, tha ministrja e Kulturës e cila shtoi se ajo që ndodhi në sallën Universale fatkeqësisht është pamje shkatërruese për të gjithë.
Kostadinovska-Stojçevska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, shprehu keqardhjen e saj për situatën, sepse siç tha, edhe si ministre e kulturës edhe si ministri, kanë kaluar proces dyvjeçar të bindjes me Qytetin e Shkupit që administrata të njohë rëndësinë e ndërtesës, në mënyrë që ajo të mos braktiset në mëshirën e fatit, të mos pësojë ndryshimet atmosferike që pësoi.
“Ajo që kemi parashikuar përmes Informacionit të Qeverisë është se përfundimi i rinovimit të godinës është fundi i vitit 2027. Megjithatë, shpresoj që procesi të përshpejtohet sepse salla Universale siç e kemi thënë që në fillim duhet shumë”, tha ministrja e Kulturës, e cila ritheksoi se pas marrjes së të gjitha konstatimeve përkatëse se ndërtimi mund të vazhdojë, Ministria e Kulturës do të vazhdojë me aktivitetet e saj për të respektuar afatin, për t’ua kthyer sallën Universale banorëve të Shkupit dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.