Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në fjalimin e saj sot në ceremoninë me rastin e zbulimit të bustit përkujtimor të Goce Dellçevit në Pustec të Republikës së Shqipërisë shprehu kënaqësinë e saj që së bashku me maqedonasit nga ana tjetër e kufirit, i bën nderim njërit prej personazheve më të ndritur të historisë sonë, ideologut dhe luftëtarit për shtet të lirë dhe të pavarur maqedonas.
“Vepra e Goce Dellçevit i lidh të gjithë maqedonasit kudo që jemi. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga veprat dhe fjalët e mëdha të revolucionarëve tanë që ishin në anën e duhur të historisë, siç jemi sot. Ne që jemi në kampin progresiv dhe i dëshirojmë vendit një të ardhme të ndritur evropiane me qytetarë të barabartë dhe breza të rinj të lumtur”, tha Kostadinovska-Stojçevska me rastin e zbulimit të bustit.
Ministrja e Kulturës theksoi se heronjtë kombëtarë si Goce Dellçev dhe idealet e tyre për liri dhe barazi janë udhërrëfyesi ynë për në Evropë. Ajo theksoi se vizioni i tij për botën si fushë për garë kulturore midis kombeve nuk do ta humbasë kurrë rëndësinë e tij në ekzistencën tonë kolektive dhe në përpjekjet tona për të krijuar të ardhme të sigurt, të begatë dhe të përbashkët.
“Ne i kemi qëndruar besnik premtimit tonë se nuk do të ndalemi së ndërtuari ura lidhjeje dhe dialogu”- shtoi Kostadinosvka-Stojçevska, e cila mori pjesë në ceremoni me drejtoreshën e Institutit dhe Muzeut-Manastir, Meri Sojanova, e cila vazhdon projektet e ” Smart for you too” për bashkëpunimin ndërkufitar me Shqipërinë, që kontribuon aktivisht në lidhjen e popullsisë në zonën kufitare.
Busti i Dellçevit u vendos me iniciativë të Aleancës Maqedonase për Integrime Evropiane, MAEI, kryetari i së cilës Vasill Sterovski tha se ky bust është simbol i qëndrueshmërisë dhe besimit tonë në parimet e drejtësisë dhe lirisë.
“Në këto kohë të vështira, ne kemi nevojë për unitet dhe vendosmëri më shumë se kurrë. Shembulli i Goce Dellçevit le të jetë udhërrëfyesi dhe frymëzimi ynë”, tha Sterovski, i cili shtoi se si Aleancë Maqedonase për Integrim Evropian vazhdojnë të luftojnë për të drejtat dhe identitetin e popullit maqedonas në Shqipëri.
Në ceremoninë me rastin e 121 vjetorit të vdekjes së revolucionarit të madh morën pjesë përfaqësues të Lëvizjes “Për Maqedoninë tonë”, Aleancës Maqedonase për Integrime Evropiane nga Gollo Brdo, nga Kongresi Botëror Maqedonas, nga Bashkësia e Maqedonasve nga pjesa e Egjeut të Maqedonisë të dëbuar nga Greqia, nga Bashkimi i shoqatave të maqedonasve dhe fëmijëve refugjatë nga pjesa e Egjeut të Maqedonisë “MAKEDON” si dhe nga Këshilli Kombëtar Maqedonas i Serbisë.
Busti i Goce Dellçevit është punuar nga artisti Zoran Tosevski dhe është vendosur para kishës “Shën Kryeengjëlli Mihail” në Pustec, në sheshin me emrin Dellçev. Siç thonë nga Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian, MAEI, me vendosjen e bustit të heroit të madh, maqedonasit nga Pusteci konfirmojnë besimin e tyre se vlerat për të cilat ai luftoi mbeten të gjalla dhe udhërrëfyes për brezat e sotëm. Vendosja e këtij busti do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit maqedonas në zonën e Prespës.