Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, uron të gjithë punëtorët e muzeut për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, për të cilët thotë se janë pasqyrë e së kaluarës dhe e trashëgimisë sonë kulturore.
“Me 18 maj, Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, theksojmë rolin e tyre mbrojtës të historisë, kulturës dhe identitetit maqedonas. Muzetë janë frymëzim për krijimtarinë, kërkimin dhe kritikën, vende unike për interpretimin e artit, arkeologjisë dhe shkencës.
Me urimet e mia për të gjithë punonjësit e muzeut, theksoj angazhimin e tyre për mbrojtjen e veprimtarisë dhe kontributin në edukimin e brezave të rinj në përballjen e sfidave komplekse sociale.
Sot ndërgjegjësojmë dhe drejtojmë vëmendjen për rëndësinë e institucioneve muzeore duke hapur dyert e tyre për qytetarët.
Ministria e Kulturës mbështet një numër të madh të projekteve muzeore në realizimin e qëllimit të përbashkët për respektimin dhe vlerësimin e duhur të kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, thuhet në urimin e Kostadinovska-Stojçevska.
“Muzetë për edukim dhe kërkim” është motoja me të cilën shënohet sot Dita Ndërkombëtare e Muzeve, 18 maji, datë që institucionet muzeore në mbarë botën e festojnë me aktivitete të ndryshme që nga viti 1977.
Në këtë ditë, muzetë në vend tradicionalisht hapin dyert e tyre dhe ofrojnë hyrje falas për vizitorët që mund të shohin ekspozitat aktuale dhe të njihen me pasurinë kulturore të luajtshme.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve festohet tradicionalisht çdo vit më 18 maj për të promovuar rëndësinë e institucioneve muzeore në shoqërinë moderne. Dita kushtuar muzeve përcaktohet nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve – ICOM (ICOM – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) me seli në Paris.