Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në një intervistë për televizionin “Tera” tha se është veçanërisht krenare që miratimi i Ligjit të ri për përdorimin e gjuhës maqedonase u zhvillua në një atmosferë të debatit të gjerë dhe interesimit të madh nga të gjitha palët.
“Po flasim për gjuhën maqedonase si trashëgimi kulturore e përcaktuar me Kushtetutë. Jam vërtet shumë krenare që kemi hartuar Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase. Që nga viti 1998 nuk kemi pasur dispozita aq të qarta, ajo zgjidhje ligjore ka qenë e vjetruar dhe duke pasur parasysh se gjuha është çështje e gjallë, nuk mund të mbesim në Ligjin i cili për pak do të kishte mbushur njëzet e vjet”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Duke diskutuar për rrjedhën dhe procesin e miratimit, ministrja e Kulturës shtoi se në seancën plenare deputetja Gordana Siljanovska-Davkova e vlerësoi pozitivisht rrjedhën e miratimit të Ligjit dhe diskutimin e vetë debatit.
“Ne u ulëm me gjithë Komisionin për Kulturë në Kuvend dhe u pajtuam se ky është interes nacional, natyrisht mbipartiak dhe se duhet të jemi konstruktiv”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ministrja e Kulturës theksoi se debati publik për Propozim-ligjin që u mbajt në Bibliotekën nacionale dhe universitare në Shkup dhe të gjitha konsultimet tjera që u zhvilluan në nivel të deputetëve dhe Ministrisë, siç tha ajo, kanë qenë në nivel akademik shumë të lartë.
“Kemi dëgjuar kërkesat e profesionistëve, por edhe nga Oda Ekonomike dhe Banka Popullore dhe kemi pasur zgjidhje të bukur ligjore për këtë. Me këtë ligj është tejkaluar gjithçka që ka qenë pengesë deri në vitin 2020 dhe pikërisht për këtë ka pasur fjalë lavdëruese”, tha Kostadinovska-Stojçevska dhe përkujtoi se Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase në Kuvend është miratuar me shumicë prej 96 votave “për”.
Ligji i ri, ndër të tjera, parasheh lektorimin e detyrueshëm të të gjitha dokumenteve të lëshuara nga institucionet, punësimin e lektorit në secilin institucion, dënime më të mëdha për shkeljen e dispozitave të këtij ligji.