Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska sot në “Magaza” të Manastirit ka mbajtur takim me përfituesit e mjeteve nga Programi vjetor për përkrahje të projekteve me interes nacional në kulturë, ku ka premtuar se Ministria e Kulturës do të vazhdojë të investojë te të rinjtë dhe t’i mbështes idetë e tyre novatore për afirmimin e kulturës sonë.
“Investimi në kulturë është investimi më i mirë, jo shpenzim. Ne investojmë dhe kujdesemi për kulturën dhe për këtë arsye do të vazhdojmë këtë praktikë, duke mbështetur projekte, për të inkurajuar institucionet dhe artistët që të krijojnë dhe afirmojnë vlera kulturore brenda dhe jashtë vendit”, tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo theksoi se vlerësimi dhe fuqia e kulturës në Manastir është falë numrit të madh të projekteve të mbështetura në konkurset e Ministrisë së Kulturës, si dhe funksionimit aktiv dhe të suksesshëm të institucioneve nacionale dhe shoqatave dhe individëve nga qyteti.
Mbi 86 milionë denarë janë investuar vetëm për përkrahje të programeve të institucioneve nacionale në Manastir dhe me gati 7 milionë denarë janë përkrahur përfituesit e tjerë për projekte”, tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska, duke theksuar se Ministria e Kulturës vazhdimisht e rrit mbështetjen për projekte me interes nacional dhe shtetëror.
Kostadinovska-Stojçevska iu referua edhe mbrojtjes së pasurisë sonë arkeologjike, arkivore, arkitekturore të ndërtuar shekuj më parë, të cilën, sipas saj, e përkrah vazhdimisht Ministria e Kulturës.
“Vetëm në vitin 2023 kemi investuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me mbi 11 milionë denarë për mirëmbajtjen, restaurimin, konservimin dhe afirmimin e thesarit të vyer kulturor në kishën e Shën Gjergiit në fshatin Kurbinovë, Jeni Xhamia, shtëpia përkujtimore e Goce Dellçevit, e Stiv Naumovit si dhe restaurimi i monumenteve të LNÇ-së”, tha ministrja e Kulturës.
Ministrja Kostadinovska-Stojçevska, në kuadër të vizitës së sotme të punës në Manastir, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, vizituan investimet kapitale në zonën e SPB Manastir – investimi në një të ardhme më të sigurt dhe vizitoi një përfitues të suksesshëm të programit IPARD në fshatin Kazhan.