Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot në Shtip, gjatë një vizite pune në institucionet nga sfera e kulturës së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski, theksuan se qyteti nën Isar tregon punë të suksesshme në kulturë dhe në kultivimin e vlerave autentike kulturore. Ministria e Kulturës do të vazhdojë të investojë në kulturën në Shtip, për të krijuar kushte dhe klimë të favorshme për zhvillimin e saj.
– Qeveria dhe Ministria e Kulturës janë të vetëdijshme se kultura na përcakton si popull dhe na forcon ndjenjën e përkatësisë. Kultura është investim në mbështetjen tonë – tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska, duke theksuar se Ministria e Kulturës në vazhdimësi, për çdo vit, rrit mbështetjen për projektet që janë me interes nacionale dhe shtetëror.
– Në Shtip këtë vit janë ndarë më shumë se 78 milionë denarë për funksionimin e tri institucioneve nacionale (Qendra e Kulturës, Instituti dhe Muzeu dhe Biblioteka Universitare), ndërsa në përmbajtje programore janë investuar mbi tetë milionë denarë, tha ministrja gjatë vizitës në Bibliotekën Universitare “Goce Dellçev” në Shtip.
Kostadinovska-Stojçevska theksoi se të gjitha projektet e parapara në programet e institucioneve nacionale në Shtip janë duke u realizuar në vazhdimësi dhe, siç tha ajo, me rëndësi të madhe është që projektet dhe investimet të realizohen me mjete vetanake, gjë që tregon marrëdhëniet e funksionimit dhe menaxhimit adekuat në kulturë.
Në deklaratën për media, ministrja e Kulturës theksoi se Ministria e Kulturës investon në veprimtarinë bibliotekare dhe për këtë institucion këtë vit janë siguruar gati 18 milionë denarë, prej të cilave mbi një milion denarë për aktivitete programore.
– Biblioteka e Shtipit bën përpjekje të mëdha për ta sjellë librin më afër shtëpisë së çdo përdoruesi përmes bibliotekës mobile “Infobus” dhe përmes aktiviteteve të destinuara për personat me nevoja të veçanta – theksoi Kostadinovska-Stojçevska, duke shtuar se aktiviteti bibliotekar në këtë qytet është duke u promovuar me sukses përmes projekteve të shumta, si dhe përmes ngjarjeve që shënuan 100 vjetorin e lindjes së poetit tonë të madh, Aco Shopov, i lindur në Shtip.
Kostadinovska-Stojçevska përkujtoi se në tre vitet e fundit janë investuar mbi gjashtë milionë denarë në ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Shtip, mjete buxhetore dhe të hyra vetanake të institucionit.
– Dua të përmend se qyteti i Shtipit është krenar që pikërisht këtu funksionon institucioni i parë kulturor me termocentral diellor në çati. Qendra e kulturës “Aco Shopov”, përmes projektit “Energji HAB”, ka treguar se është shembull i vërtetë i një partneriteti të suksesshëm publik-privat. Rezultati i këtij projekti janë fatura më të ulëta të energjisë elektrike, kushte më të mira për monitorimin dhe krijimin e ngjarjeve kulturore dhe, natyrisht, kontribut për mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm në Shtip. Iniciativa të tilla janë për t’u përshëndetur dhe duhet të pasohen nga institucionet tjera në fushën e kulturës – tha Kostadinovska-Stojçevska, duke shtuar se shqetësimi për përmirësimin e kushteve për funksionimin e institucioneve tona nacionale vazhdon.
Ministrja e Kulturës përshëndeti edhe funksionimin me sukses të zyrës së parë rajonale “MlladiHab” në Shtip, e cila gjendet në objektin e Qendrës së Kulturës.
“Ne besojmë se të rinjtë dhe institucionet tona kulturore janë të fokusuar fuqishëm në profilizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre kreative dhe artistike”, shtoi ajo.
Kostadinovska-Stojçevska iu referua edhe mbrojtjes së pasurisë sonë arkeologjike, arkivore, arkitekturore të ndërtuar ndër shekuj, të cilën, sipas saj, e përkrah vazhdimisht Ministria e Kulturës.
– Ne investojmë edhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ne kujdesemi për trashëgiminë tonë kulturore antifashiste. E premtuam dhe e riparuam Kompleksin Memorial të Luftëtarëve të rënë të Revolucionit në Shtip, një vepër jashtëzakonisht domethënëse e arkitektit Bogdan Bogdanoviq, një prej arkitektëve më të njohur të shekullit XX- tha Kostadinovska-Stojçevska.