Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska së bashku me ambasadorin evropian Dejvid Gir sot morën pjesë në hapjen e ekspozitës “Në buzë të fjalëve” në galerinë “Akantus”, e udhëhequr nga Dijana Tomiç-Radevska, në Shtëpinë e sapohapur evropiane në Veles.
Me hapjen e ekspozitës, artistët maqedonas Oliver Musoviç, Slavica Janeshlieva, Nehat Beqiri, Aleksandra Petrushevska Ristevska, Aneta Popova dhe Stefan Mlladenovski përmes veprave të tyre përçuan mesazhin artistik për fuqinë dhe lidhjen e fjalës, gjuhës dhe komunikimit.
Kostadinovska-Stojçevska, duke uruar hapjen e hapësirës së re urbane në Veles, tha se: “Shtëpia e re, e pestë evropiane me radhë, është shtëpi e re për banorët e Velesit dhe për të gjithë ata që besojnë në rëndësinë e dialogut dhe shkëmbimit të ideve, për të gjithë ata që e vlerësojnë kulturën dhe traditën e tyre me krenari dhe që ndajnë idealin e një Evrope të bashkuar”.
Në hapësirën e re urbane të Shtëpisë Evropiane në Veles, vargjet e të madhit të poezisë bashkëkohore maqedonase, Koço Racin, i lexoi poetja e re Marija Grubor, e shoqëruar me performancën e muzikantit të xhazit Filip Bukrshliev në kitarë.