– “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës në vitin 2028” është titull prestigjioz, por edhe përgjegjësi e madhe dhe atë që mund ta shoh nga puna e ekipit është se na vijon periudhë shumë kreative. Jam shumë e lumtur sepse na duhej një pikë e ndritur në kulturë, e cila do të jetë udhërrëfyes për bashkimin e të gjitha institucioneve për të mbetur pikë e ndritur deri në vitin 2028, por edhe pas kësaj, e cila do të na mbajë zgjuar për të zhvilluar kulturën maqedonase edhe me shumë. Do të jetë shans për të kontribuar me vlerat tona në BE, duke paraqitur si vlerë traditën, kulturën dhe veçoritë tona – tha ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në RTM 1.
– Vatër rreth së cilës do të mblidhen të gjithë, është pikërisht ky titull, gjithëpërfshirës. Ky nuk është vetëm projekti ynë, motoja e të cilit është “Kultura mbi ndarjet”, por projekt i përbashkët, pavarësisht partive politike, kombësive dhe qyteteve. Prandaj primatin e ka kultura, me të mund të tejkalojmë të gjitha pengesat për të treguar veçantinë tonë – tha ministrja.
Sipas saj, ky titull, i dhënë nga ekspertët e Komisionit Evropian, paraqet sfidë për bashkim nën flamurin e iluminizmit kulturor, duke i mundësuar jo vetëm Shkupit dhe banorëve të tij, por edhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të ndjejnë lidhje më të thellë me identitetin e gjerë evropian.
– Udhëtimi drejt vitit 2028 kërkon mbështetje të palëkundur financiare, kadrovike dhe të infrastrukturës. Qeveria, përmes Ministrisë së Kulturës, është e përkushtuar që të mbështesë pa rezerva nismën “Shkupi – Kryeqytet i Kulturës Evropiane në vitin 2028”. Ky veprim garanton investim afatgjatë dhe përpjekje të palëkundur për të siguruar që Shkupi të shkëlqejë në hartën kulturore evropiane. Thirrja u drejtohet të gjithë punëtorëve të kulturës, artistëve, inovatorëve dhe çdo sektori të shoqërisë që të bashkojmë forcat, duke shfrytëzuar potencialin tonë për të krijuar rrëfim të paharrueshëm për pasurinë kulturore – shpjegoi Kostadinovska- Stojçevska.
Ajo shtoi se salla universale do të riparohet sa më shpejt jo vetëm sepse është bartëse e këtij projekti por edhe sepse jemi i vetmi qytet që prej disa kohësh nuk kemi sallë koncertesh.
– Këshilli i Qytetit të Shkupit ka marrë vendim që autorizimet për rindërtim t’ia bart Ministrisë së Kulturës. Pas marrjes së dokumentacionit nga shërbimi juridik i Qytetit të Shkupit do të bëjmë kontroll, ndonëse në parim kemi ekip profesional dhe ekspertë të jashtëm të cilët do të japin udhëzime se si të vazhdohet me rindërtimin. Janë siguruar mjetet për rindërtimin e jashtëm, mbetet të sigurohen mjete për ambientin e brendshëm dhe të mos presim vitin 2028, por sa më shpejt ta shohim sallën në shkëlqimin e saj të plotë – përfundoi Kostadinovska-Stojçevska.