Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në Beograd, në margjinat e Samitit “Ballkani i Hapur”, me ministren serbe dhe zëvendëskryeministren e Qeverisë së Serbisë, Maja Gojkoviq, nënshkruan Programin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Maqedonis së Veriut dhe Ministrisë së Kulturës dhe Informacionit të Serbisë, për periudhën 2022-2025.
“Programi është vazhdimësi e bashkëpunimit të shkëlqyer që të dy vendet ushqejnë në fushën e kulturës, në nivel institucional dhe joinstitucional. Programi perfeksionohet dhe pasurohet me çdo version të ri që nga Marrëveshja e vitit 1997 që dy vendet kanë nënshkruar në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit”, tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska.
Të dy ministrat pajtohen se në këtë mënyrë u arritën rezultate të forta në zhvillimin dhe thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, fqinjësisë së mirë, marrëdhënieve miqësore dhe besimit në kulturë.
“Programi ofron kushte më të mira për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor në të gjitha sferat e artit. Ai lehtëson punën në projekte të përbashkëta ndërmjet institucioneve kombëtare dhe ndërmjet organizatave të tjera në fushën e kulturës dhe artit, midis artistëve dhe ekspertëve nga të dyja vendet.
Ajo që është më aktuale për të dyja kulturat është se është marrë Vendimi për hapjen e Qendrës Kulturore dhe Informative të Maqedonisë së Veriut në Beograd, me paralajmërimin se Serbia do të hapë QIK edhe në vendin tonë. Ajo hapësirë dhe ai institucion, jam i bindur se do të jetë një qendër e re për miqësitë e vjetra dhe të reja të artistëve të të gjitha brezave dhe zonave të të dy vendeve. QIK-të ushqejnë një praktikë të pazëvendësueshme për afrim dhe shkëmbim, të cilën e parasheh Programi, në veprimtaritë botuese, vizuale dhe artistike, në sferën muzikore dhe skenike, në film, thotë Kostadinovska-Stojçevska.
Theks i veçantë në këtë dokument vihet edhe në bashkëpunimin në veprimtaritë arkivore, bibliotekare, muzeale, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale duke ofruar mbështetje për aktivitetet tradicionale kulturore, festivalet dhe panairet që lidhen me muzikën tradicionale, zejtarinë dhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore jomateriale të të dyja vendeve.
Kostadinovska-Stojçevska thekson rëndësinë e bashkëpunimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në parandalimin e importit, eksportit dhe kalimit të paligjshëm të së drejtës së pronësisë mbi të mirat kulturore, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. “Ne vazhdojmë së bashku të ndërtojmë politika të përbashkëta ndërkombëtarisht në organizatat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare si: UNESCO, BE, Këshilli i Evropës, Këshilli i Ministrave të Evropës Juglindore, ku së bashku forcojmë pozicionet tona, shkëmbejmë përvoja dhe ekspertë me qëllim të integrimit më efikas në proceset evropiane, modernizimit dhe futjes më të shpejtë të teknikave të reja dhe “digjitalizimit”, thotë Kostadinosvaka-Stojçevska.
Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinosvka-Stojçevska në Beograd ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Samitin “Ballkani i Hapur”.