Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, duke uruar 5 majin, ditën e gjuhës maqedonase, ka shkruar se me të gjitha përpjekjet dhe sukseset e Qeverisë për mbrojtjen, avancimin dhe promovimin e saj, është vërtetuar se shenjat identitare maqedonase nuk janë negociuar me këdo dhe kudo.
“Sot, kur festojmë festën e gjuhës maqedonase, krenohemi me të gjitha angazhimet dhe sukseset që kemi arritur deri më tani për mbrojtjen, avancimin dhe promovimin e gjuhës maqedonase, vlerave kulturore dhe trashëgimisë kulturore”, është shprehur ministrja e Kulturës.
Duke uruar ditën kur në vitin 1945 u mor vendimi që gjuha maqedonase të bëhet shkrim zyrtar i vendit, Kostadinovska-Stojçevska tha: “Gjuha maqedonase është shenja jonë kombëtare dhe simboli më i rëndësishëm i identitetit tonë kulturor. Sot është e barabartë dhe e njohur në Kombet e Bashkuara, e konfirmuar dhe e njohur në Bashkimin Evropian. Si mbrojtës të përhershëm të saj, ne konfirmojmë se simbolet e identitetit maqedonas nuk negociohen me askënd dhe askund”.
Për Ministren e Kulturës, kjo ditë është rast dhe nxitje për të këmbëngulur edhe më fort në afirmimin dhe ruajtjen e veçantisë dhe vlerave të gjuhës dhe identitetit tonë dhe të vazhdojë të tregojë dashurinë për identitetin kulturor të popullit tonë.
Kostadinovska-Stojçevska thekson se kujdesi i vërtetë për gjuhën tonë tregohet me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, i cili, siç thotë ajo, paraqet mburojë mbrojtëse për gjeneratat e ardhshme.
“Pas 26 viteve kemi hartuar ligj të ri për përdorimin e gjuhës maqedonase, në përputhje me kohën e re. I kemi zgjeruar fushat në të cilat përdoret gjuha standarde maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”, thuhet në postimin në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë së Kulturës.
Ajo siguron se kujdesi për gjuhën maqedonase është dhe do të mbetet prioritet edhe në mandatin e ardhshëm dhe do të vazhdojë të mbështesë botimet profesionale që kanë të bëjnë me gjuhën maqedonase si dhe botimet e shumta letrare të autorëve maqedonas dhe literaturën e huaj të përkthyera në gjuhën maqedonase.
Me ndryshimet që sjell ligji i ri hapen vende të reja pune për maqedonasit, gjegjësisht punësimi i obligueshëm i lektorëve me licencë në institucione, Inspektorati për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase për kontroll më të madh të zbatimit të ligjit dhe përdorimit të drejtë të gjuhës maqedonase, si dhe studimi i saj jashtë vendit.