Artisti ynë i shquar multimedial Kiro Urdin do të marrë pjesë në Festivalin e 13-të ndërkombëtar të poezisë që do të mbahet nga sot deri më 17 shtator në Bukuresht.
Këtë vit, festivali ftoi 158 poetë nga 26 vende nga katër kontinente: Maqedonia e Veriut, Austria, Bolivia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Kuba, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Maroku, Mali i Zi, Peruja, Polonia, Portugalia, Moldavia, Spanja, Turqia, Holanda, Uruguai dhe Rumania.
Është planifikuar të zhvillohen 50 ngjarje me segmente dhe formate të ndryshme kulturore (takime me poetë, përkthyes dhe botues, lexime poezish, tryeza të rrumbullakëta, tribuna, shfaqje teatrore dhe filmike, ekspozita) në gjithsej 14 hapësira të njohura kulturore në Bukuresht.
Urdini do të prezantohet pasnesër me lexim poetik të një prej veprave të tij më domethënëse, poezisë “Minjtë”. Në të njëjtën ditë, në kopshtin e selisë së Muzeut nacional të letërsisë rumune do të ketë shfaqjen e tre dokumentarëve: “Roman në vargje (Për poezinë e Kiro Urdinit)” (skenari i Jane Teoharevskit), ” Tabulla rasa” (dokumentari i tij i fundit) dhe “Vallëzimi planetarium”. Nesër, megjithatë, do të hapen ekspozitat e pikturave të Urdinit (version i ciklit të tij të fundit “Tabulla rasa” i prezantuar muajin e kaluar në Parlamentin rumun), si dhe ekspozita me koleksion të librave të tij me aforizma.
Prezantimi i fundit i Urdinit do të jetë në amfiteatrin e bibliotekës qendrore universitare në Bukuresht, ku shikuesit do të kenë mundësinë të shohin dokumentarët e tij – “Planetarium” dhe “Dogona”, si dhe “Jeta dhe Vdekja”, të gjitha me firmën e tij regjisoriale.