Ansambli Kombëtar i Valle dhe Këngëve Popullore “Tanec” niset në një turne ballkanik, me moto “Tanec – 75 vjet kod maqedonas”. Në kuadër të turneut “Tanec” do të ketë koncerte në Podgoricë, Lubjanë, Zagreb dhe Banja Llukë.
– Publiku në rajon, ka ditur gjithmonë ta vlerësojë përsosmërinë e Tanecit dhe sigurisht që i pret me padurim këto spektakle unike muzikore-skenike, të cilat gjithmonë lidhin dallimet kulturore dhe dëshmojnë për fuqinë bashkuese të folklorit të mrekullueshëm muzikor maqedonas. Në koncertet e ardhshme në Podgoricë (20.9.2024), Lubjanë (22.9.2024), Zagreb (24.9.2024) dhe Banja Llukë (27.9.2024), në skenat e mëdha të QIK “Budo Tomoviq”, “Shtëpinë Cankarjev “, “Vatroslav Lisinski” dhe salla “Borik”, do të interpretohet një program luksoz muzikor-skenik nga periudha të ndryshme të ansamblit, në të cilin do të interpretohen vallet origjinale: “E rënda”, ” Kopaçka”, si pjesë e krijimtarisë së pasur koreografike të Tanecit – koreografitë spektakolare “Korrësja”, “Vallja e Maleshevës”, “Kuvendi i Radovishit”, informojnë nga “Tanec”.
Nga institucioni kombëtar shtojnë se nuk do të mungojë programi i pasur vokalo-instrumental i orkestrës dhe korit “Tanec”, së bashku me Suzana Spasovska, e cila do të interpretojë për publikun disa këngë antologjike nga thesari i pasur i popullit maqedonas.
Turneu është në kuadër të vitit jubilar të ansamblit, kur festohet 75 vjetori i themelimit të tij, dhe si koncertet e tjera të sezonit zhvillohet nën moton “Tanec – 75 vjet kod maqedonas”.
Gjatë këtyre 75 viteve, ansambli “Tanec” ka performuar në skenat më prestigjioze të të gjithë globit, me më shumë se 5000 koncerte të paharrueshme. Repertori i tij përfshin mbi 90 koreografi dhe disa qindra vepra vokale dhe instrumentale, përmes të cilave ansambli prezanton tradita të ndryshme muzikore dhe koreografike nga të gjitha trevat, ku ka ekzistuar folklori i pasur maqedonas. Ansambli, ka gjithashtu një koleksion të jashtëzakonshëm prej 3000 veshjesh autentike me vlera dhe bukuri të jashtëzakonshme, të cilat e kthejnë çdo shfaqje në një përjetim të veçantë audio-vizual.