Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Ageler, vizituan sot “Monumentin e Lirisë” të rinovuar në Koçan, si dhe “Akuaduktin” e Shkupit, monument kulture me rëndësi të veçantë dhe pikë referimi për qytetin e Shkupit.
Kjo shënoi zyrtarisht finalizimin e njërit dhe fillimin e një projekti tjetër me fondet e siguruara nga Fondi i Ambasadorëve të Trashëgimisë Amerikane.
Ministri Llutkov gjatë vizitës së tij në “Akuadukt”, shprehu mirënjohjen e tij ndaj Ambasadës Amerikane për mbështetjen e dhënë në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke shtuar se që nga viti 2001, Fondi Ambasador i SHBA-së për Trashëgimi Kulturore, për ruajtjen, konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë sonë kulturore është shpërblyer me rreth 2 milionë dollarë. Ai shprehu gjithashtu besimin se me bashkëpunim dhe partneritet të përbashkët me Ambasadën Amerikane do t’i rikthehet shkëlqimi kësaj trashëgimie të rëndësishme kulturore.
Ambasadorja Ageler, nga ana tjetër, e mahnitur nga madhështia dhe bukuria e “Akuaduktit”, tha se është veçanërisht e rëndësishme që ai të vihet në funksion të turizmit.
Më herët, Llutkov dhe Ageler kanë vizituar “Monumentin e Lirisë” të rinovuar në Koçan, projekt ky i cili është realizuar edhe përmes Fondit të Ambasadorit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, për të cilin është paraparë grant prej 254 mijë dollarë.
“Konservimi dhe restaurimi i “Monumentit të Lirisë”, vepër artistike dhe arkitekturore e autorëve Gligor Çemerski dhe Radovan Ragjenoviq, është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të vendit tonë dhe mbështetësve tanë të mëdhenj strategjikë, politikë, ekonomikë dhe kulturorë- Shtetet e Amerikës. Falë mbështetjes së tyre, përmes grantit nga Fondi i Ambasadorit Amerikan për Mbrojtjen e Kulturës, vazhdojmë angazhimin tonë për të siguruar jetëgjatësinë e këtij monumenti vërtetë përfaqësues të historisë së re të vendit tonë”, tha ministri Llutkov nga Koçani.
Ambasadorja Ageler, nga ana tjetër, nënvizoi se është kënaqësi të mbështesim restaurimin e monumenteve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit.
Bartës i grantit është komuna e Koçanit, ndërsa mbikëqyrjen profesionale e ka bërë institucioni kompetent, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeu – Shtip.
Me realizimin e projekteve, trashëgimia kulturore do të vihet në funksion të turizmit.