Në skenën e madhe të Operës dhe Baletit Nacional më 27 janar, me fillim nga ora 12:00, do të shfaqet performanca muzikore interaktive për fëmijë “Opera e kafshëve të pyllit”, e dedikuar për publikun më të ri nga 6 deri në 11 vjeç. Ideja, skenari, regjia, kostumografia dhe skenografia janë të Desanka Gligorijeviqit.
“Opera e kafshëve të pyllit” është shfaqje interaktive muzikore-dramatike, qëllimi i së cilës është të njohë dhe edukojë publikun më të ri me artin e operës. Skenari është i mbushur me shumë momente komike që ndodhin teksa kafshët e pyllit përpiqen të krijojnë shfaqje operistike. Pjesa muzikore është e mbushur me arie popullore të përshtatura nga operat Karmen, Paljaçi, Aida, Travijata, Rita e të tjera, si dhe kompozime instrumentale të përshtatura me tekst si pjesë e skenarit.
Në rolet luajnë Biljana Kamçeva, Marika Popoviq, Jane Dunimaglloski dhe Neven Siljanovski.
Nga Opera dhe Baleti Nacional bëjnë të ditur se shfaqja është e karakterit humanitar dhe mjetet e grumbulluara nga biletat e shitura do të shkojnë për trajtimin e të riut Leonid Indov, i cili pësoi lëndime të rënda në një aksident në Greqi, pas së cilës u operua dhe vijon me trajtim të gjatë dhe të shtrenjtë.