Ministrja Kostadinovska-Stojçevska u takua me drejtorin e Fondacionit Ndërkombëtar “Forumi i kulturave sllave”, Andrea Rihter, i cili është edhe kryetar i Akademisë Evropiane të Muzeve.
Gjatë takimit u theksua roli, rëndësia dhe aktivitetet e “Forumit të kulturave sllave”, qëllimi i të cilit është lidhja dhe përfaqësimi i kulturës së popujve sllavë në botë.
Sipas Kostadinovska-Stojçevska, veprimtaria muzeore, si një nga fushat e përgjithshme të veprimit në kulturë, është e një rëndësie të veçantë për afirmimin dhe promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, për edukimin e qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve për thesaret dhe veçoritë kulturore të popujve sllavë.
Ministrja vizitoi edhe punëtorinë “Muzetë që vlejnë – instalime muzeore të përhershme dhe punë me vizitorë”, e cila organizohet dhe në bashkëpunim me “Forumin për kulturat sllave” dhe mbahet në Institutin për mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe muzeun – Manastir.
– Ministria e Kulturës ofron mbështetje të plotë për organizimin e seminareve dhe punëtorive ku punonjësit dhe ekspertët e muzeut do të diskutojnë tema të ndryshme aktuale në fushën e muzeologjisë, për krijimin e një profili të ri të praktikës muzeore, të përshtatshme për shoqërinë moderne. Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira do të mundësojë modernizimin e mjediseve ekzistuese muzeore, planifikimin sistematik të aktiviteteve zhvillimore, si dhe lidhjen e institucioneve muzeore në nivel ndërkombëtar dhe rajonal – tha ministrja e Kulturës.
Ajo shtoi se aktivitetet e Forumit, si dhe punëtoria e sotme, do të jenë tjetër nxitje për pasurimin e përmbajtjes programore në institucionet muzeore, duke kontribuar në afirmimin e trashëgimisë kulturore që posedojnë vendet sllave.
Në fund, ministrja Kostadinovska-Stojçevska nënvizoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë pjesëmarrjen aktive në Forum edhe në të ardhmen, me qëllim që të realizohen sa më shumë projekte që do të krijojnë vlera të larta kulturore, duke përdorur ngjashmërinë dhe llojllojshmërinë kulturore si kontekst bazë zhvillimor.