Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, merr pjesë në seancën e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të mbajtur në Riad, Mbretëria e Arabisë Saudite, në të cilën dje u shpall Vendimi i Komitetit se rajoni i Ohrit, me vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, mbetet në listën e trashëgimisë botërore. Më delegacionin e Maqedonisë në Riad janë ministrja e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova, sekretari shtetëror i Ministrisë së punëve të jashtme, Filip Tosevski, si dhe drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Zoran Pavllov.
Kostadinovska-Stojçevska, dje në fjalimin e saj gjatë seancës së Komisionit, shprehu falënderim që Komisioni respektoi përpjekjet e përbashkëta të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, me të cilat ndajmë bukuritë natyrore të këtij rajoni unik, por në mënyrë të barabartë edhe përgjegjësinë për Liqenin e Ohrit dhe trashëgiminë e pasur kulturore për të ruajtur statusin prestigjioz të trashëgimisë botërore.
“UNESCO është mik i çmuar edhe i rajonit të Ohrit. Dhe në kohën që vjen, çdo miqësi është si një perlë. Ashtu siç është rajoni ynë i Ohrit”, tha Kostadinovska-Stojçevska.
Ajo theksoi se ekipet e ekspertëve të të dy vendeve kanë përgatitur Planin strategjik për rehabilitimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit me Plan veprim dhe, siç tha ajo, është një hap i rëndësishëm në zbulimin dhe trajtimin e faktorëve që kanë ndikim negativ në vlerat e rajonit, gjë që është vlerësuar pozitivisht nga Komiteti i trashëgimisë botërore dhe është vënë në dukje në Vendimin e seancës së Komitetit në Riad.
Ministrja e Kulturës shtoi se zbatimi i masave të përcaktuara për rehabilitimin e rajonit do të varet nga forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit tonë me Republikën e Shqipërisë. Megjithatë, ajo theksoi se ka mbetur një pjesë e mirë e rekomandimeve të misioneve monitoruese reaktive dhe të misioneve konsultative për të cilat duhet të punohet bashkërisht nga të dyja palët. Kjo konfirmon, siç tha ajo, synimet tona të sinqerta dhe gatishmërinë për punë dhe bashkëpunim intensiv.
“Statusi prestigjioz mbetet, por mbeten edhe rekomandimet për ruajtjen e tij. Rekomandimet nuk janë të lehta dhe zbatimi i tyre kërkon vëmendjen tonë të plotë. Për të arritur sukses në këtë, është e nevojshme që të gjithë të mbajnë pjesën e tyre të obligimeve – si pushteti qendror ashtu edhe lokal ,institucionet dhe qytetarët. Përveç kësaj, detyrimet janë adresuar saktë. Shumë gjëra i kemi nisur nga rekomandimet, por mbetet realizimi i plotë i tyre. Vazhdimisht duhet të kemi parasysh faktin se mosveprimi ynë sipas rekomandimeve do të jetë shkak për përfshirjen e Rajonit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore në rrezik”, theksoi Kostadinovska-Stojçevska.
Ministrja e Kulturës falënderoi vendet anëtare të Komitetit të trashëgimisë botërore për njohjen, respektimin dhe vlerësimin e përpjekjeve tona, si dhe të gjithë të përfshirë në procesin e ruajtjes së statusit të rajonit të Ohrit – anëtarët e grupeve punuese, ekspertët, ministritë, komunat, sektori civil – për bashkëpunimin profesional dhe të ndershëm në një vit e gjysmë të kaluar.
“Rëndësia e Rajonit të Ohrit është e pamatshme dhe e përhershme. Prandaj, është detyra jonë që të mos rrezikojmë rajonin tonë të Ohrit, rajonin që bota e njohu dhe e verifikon veçantinë e tij, si një nga 39-të asetet e përziera në të gjithë botën, gjegjësisht 43 asetet ndërkufitare. Ndajmë shqetësimin për ndryshimet klimatike në botë si kërcënim serioz për trashëgiminë tonë natyrore dhe kulturore. Ne duhet t’i interpretojmë imazhet apokaliptike të zjarreve dhe përmbytjeve si kujtesë përfundimtare të pakujdesisë njerëzore ndaj shtëpisë sonë të vetme – këtij planeti”, tha Kostadinovska-Stojçevska në seancën e 45-të të Komitetit në Riad.
Duke iu referuar deklaratës së fundit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Guteresh, i cili paralajmëroi se sipas raporteve të Organizatës Botërore Meteorologjike, “Kolapsi klimatik ka filluar”. Klimatologjet janë të bindur se me këtë nivel të ngrohjes globale, bota po shkon drejt kaosit dhe se është “koha për të thënë të vërtetën”. Prandaj, sfidat e shekullit të 21-të, si kurrë më parë, na zgjojnë përgjegjësinë dhe solidaritetin tonë.
Ministrja e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova, shprehu mirënjohjen që Komiteti i njohu përpjekjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe prandaj na dha kohën e nevojshme për të vazhduar me hapat e rëndësishëm drejt mbrojtjes, ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të rajonit të Ohrit.
“Duke punuar së bashku me Republikën e Shqipërisë, ne jemi të vendosur që menaxhimin e këtij rajoni ta bëjmë shembull bashkëpunimi, për të garantuar integritetin dhe origjinalitetin e rajonit të Ohrit dhe për ta përcjellë atë tek brezat e ardhshëm. Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit mbetet synimi ynë, siç është miratimi i Ligjit për shpalljen e Studençishko Bllato si zonë e mbrojtur në kategorinë IV – Parku i Natyrës dhe ligji i ri për shpalljen e Liqenit të Ohrit zonë e mbrojtur në kategorinë III – Monument i natyrës”, theksoi në Riad ministrja e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova.