Në periudhën prej 18 deri më 21 shtator, në Shkup do të mbahet edicioni i dhjetë-vjetorit të Festivalit Ndërkombëtar Letrar “Për Ballkanin”. Të ftuar në festival do të jenë dhjetëra shkrimtarë, botues dhe redaktorë nga rajoni.
Fituesja e këtij viti, të çmimit “Prozart” për kontribut autori në zhvillimin e letërsisë në Ballkan është shkrimtarja maqedonase Olivera Nikolova, së cilës do t’i bashkohen shkrimtarët Damir Karakash, Bronja Jakelj, Vladislav Bajac, Elena Aleksieva dhe Tomislav Osmanli. Vepra e këtyre autorëve do të promovohet në hapjen më 18 shtator në Hamamin e Daut Pashës.
Në kuadër të festivalit do të zhvillohet një bashkëbisedim me regjisorin dhe skenaristin kroat, Rajko Grlic, filmi i të cilit “Karaula” do të shfaqet më 21 shtator në Kinematekë. Biseda me Grlicin është planifikuar të zhvillohet në ditën e dytë të festivalit nga ora 20 në kafene-librarinë “Bukva”. Të njëjtën ditë Pjan Slavej do të mbajë një performancë muzikore që do të fillojë në ora 21:00. Performanca është në kuadër të promovimit të librit të tij të tretë me poezi, “Poligrafi”.
Gjatë festivalit letrar do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët me temë “Letërsia/Shoqëria/Kritika”.
Në mbrëmjen e tretë të festivalit, fituesja e përvitshme e çmimit “Prozart”, Olivera Nikolova do të mbajë një video fjalim, ndërsa shkrimtarët do të lexojnë pjesë nga veprat e tyre. Në kujtim të Luan Starovës do të lexohet një fragment nga vepra e tij.
Organizator i festivalit “Për Ballkanin” është “Prozart Media”, ndër mbështetës është edhe Ministria e Kulturës.