Në Muzeun e Artit Bashkëkohor – Shkup, në mbrëmje me fillim nga ora 20:00 do të hapet ekspozita retrospektive “Rruga drejt volkoderëve – retrospektivë” me vepra të artistit maqedonas Simon Uzunovski. Ekspozita në MSU do të jetë e hapur deri më 25 tetor të vitit 2022.
Një ekip prej pesë historianësh të artit Marika Boçvarova Plavevska, Zoran Petrovski, Ljiljana Nedelkovska, Valentino Dimitrovski dhe Lazo Plavevski, miq të ngushtë të Uzunovskit dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të aktiviteteve të tij që nga vitet ’70, do të prezantojnë punën e një prej pionierëve të instalacioneve pjesëmarrëse të artit në Maqedoni. Kurator i asociuar i ekspozitës është Blagoja Varoshanec, ndërsa në përgatitjet kanë kontribuar edhe konservatorët Ljupço Iljovski dhe Jadranka Milchovska.
– Ekspozita retrospektive e Uzunovskit synon jo vetëm ta prezantojë veprën e tij në mënyrë retrospektive, por edhe teorikisht të hedhë dritë mbi pamjen e tij të jashtëzakonshme. Fokusi i ekspozitës është ende i drejtuar në periudhën më domethënëse, për të, të viteve shtatëdhjetë të shekullit të 20-të, periudhë kur praktikat alternative artistike depërtuan në skenën vendase, si pjesë e hapësirës kulturore jugosllave. Simon Uzunovski është figura kryesore e këtyre praktikave të reja artistike në mjedisin tonë. Me veprimtarinë e tij artistike, Uzunovski hapi një qasje krejtësisht të ndryshme në kuptimin e artit, gjë që vuri në pikëpyetje normat e vendosura konvencionale gjuhësore dhe estetike të disiplinave tradicionale të artit, thonë kuratorët e kësaj ekspozite.
Uzunovski ishte aktiv në skenë për gati 50 vjet, ndërsa për shumë vite punoi dhe jetoi në ishullin italian të Caprit.
Uzunovski ishte një nga bashkëpunëtorët e parë të skenografit Krste Xhidrov-Xhibi, nga fundi i viteve 70-ta dhe gjatë viteve të 80-ta. Ata punuan së bashku në rreth 15 skenografi dhe edicioni i dhjetë i Teatrit të Hapur të Rinj – MOT u hap pikërisht me ekspozitën e tyre të përbashkët.