Ekspozita e skulpturave të Luan Muliqit, profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të hapet sot (6 shtator) në ora 19:00 në Çifte Hamam. Në hapjen e ekspozitës me titull “Eros” do t’i drejtohet të pranishmëve Dita Starova Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare.
Skulpturat e Luan Muliqit eksplorojnë një sërë gjendjesh psikologjike dhe emocionale, dhe disa nga skulpturat e tij i kushtohen eksplorimit të fenomeneve seksuale. Këto skulptura erotike shpesh ftojnë shikuesit të vënë në dyshim rolet konvencionale gjinore dhe marrëdhëniet seksuale njerëzore, thotë Zeni Balaji në njoftimin e ekspozitës.
Luan Muliqi i kreu studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës (1977), kurse studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve në Beograd (1979).
Ka marrë pjesë në shumë simpoziume për skulpturën me karakter ndërkombëtar, ka botuar shumë artikuj për skulpturën monumentale, si dhe dy monografi për artin pamor të Kosovës.
Për shumë vite punoi si ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron edhe sot. Ai ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës për gati dhjetë vjet, ndërsa nga viti 2012 është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.