Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska konsideron se në Bruksel duhet të hapet qendër kulturore-informative maqedonase.
– Do të jem krenare në qoftë se në zemër të Evropës formojmë qendër që do të promovojë kulturën dhe traditën maqedonase. Në këtë mënyrë do t’i prezantonim vlerat maqedonase pikërisht në qytetin ku ka shumë organizata dhe zyra përfaqësuse ndërkombëtare, misione diplomatike, qytet që simbolizon Evropën e bashkuar, thotë Bisera Kostadinovska – Stojçevska, e cila është në vizitë pune dyditore në komisionin Evropian.
Në agjendën e Kostadinovska-Stojçevskës është edhe takimi me kryeministrin e Flandrijas, Jan Jambon, i cili njëkohësisht është edhe përgjegjës për fushën e kulturës.
Kostadinovska-Stojçevska sot do të takohet me drejtoreshën e përgjithshëme për arsim, rini, sport dhe kulturë të komisionit Evropian, Temis Kristofidu, me të cilën do të diskutojë për mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në projekte në fushën e integrimeve evropiane dhe do të potencojë praktikën efektive të bashkëpunimit kulturor transnacional.
Ministrja e Kulturës do të takohet edhe me drejtoreshën për marrëdhënie ndërkombëtare të Pallatit të Arteve të Bukura, Magdalena Liskova. Me të do të diskutojë mundësinë e organizimit të eventeve kulturore maqedonase atje. Në takim do të marrë pjesë Zhuliet Dure, regjisorja e filmit, me të cilën është parashikuar të diskutohet bashkëpunimi në artin filmik dhe Festivali i Evropës Juglindore që do të mbahet në janar të vitit 2023.
Republika e Maqedonisë së Veriut është aktive edhe në suaza të Programit „Evropa Kreative” të Bashkimit Evropian, por edhe përmes aktiviteteve në Agjendën e BE-së për Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe Instrumentin për ndihmë të Para-Aderimit, ku ka shumë shembuj të projekteve cilësore në tema për trashëgiminë kulturore, veçanërisht në programet IPA për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë ku jemi vend lider, si dhe vend partner për projekte me Bullgarinë, Greqinë, Serbinë, Kosovën.