Sekretari shtetëror në Ministrinë e kulturës, Valmir Aziri, ka ndjekur dje (22 maj) koncertin e një prej sopranove më të njohura shqiptare në botë, Ermonela Jaho.
Në kuadër të edicionit të 10-të të Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare, në sallën e Filarmonisë në Shkup u mbajt koncerti i shumëpritur, i cili u përcoll me admirim nga publiku.
Sopranoja Jaho, me performancën e saj të shkëlqyer dhe aftësitë e jashtëzakonshme vokale, u prit me duartrokitje të bujshme.
Një pritje të madhe nga publiku pati edhe performanca e sopranos së talentuar Besarta Murtezani, e cila së bashku me Jahon interpretuan fragmente nga opera “Në kohën e të njëjtit tërbim” të Çesk Zadej dhe “Madam Baterflaj” nga Xhakomo Puçini.
E ftuar speciale në këtë koncert ishte Pantisilena Jaho në piano dhe në program përfshiheshin vepra të njohura të kompozitorëve me famë botërore si: Puçini, Bellini, Verdi, Guno, Masene dhe të tjerë.